Gazeta Si – Kur hap faqen online të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, gjëja e parë që të bie në sy janë disa shifra që masin punën e ILD-së, institucioni që ka si detyrë kushtetuese të verifikojë zbatimin e ligjit nga të gjithë njerëzit e sistemit të drejtësisë.
Pa asnjë përjashtim. Të dhënat, që përditësohen çdo të hënë, konfirmojnë se ILD-ja ka trajtuar 5.704 ankesa, ka hetuar 131 magjistratë dhe për 44 prej tyre ka kërkuar procedim disiplinor.
Një punë jo pak voluminoze, por për të cilën që prej ditës së arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, kryeministri Edi Rama ka shprehur pakënaqësi publike.
Asnjë ankesë në ILD
Qëllimi i kreut të qeverisë është nxitja e ILD-së për të hetuar dhe për të nisur procedim disiplinor ndaj gjyqtarit Erion Bani, që konfirmoi kërkesën e prokurorëve të SPAK-ut, Ols Dado dhe Altin Dumani për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës.
“Sa është ora? 9:48. Nuk e di a është zgjuar Inspektori i Lartë i Drejtësisë, po mbase zgjohet dhe më dëgjon. Është shumë e rëndë kjo! Shumë e rëndë! Shumë e rëndë!”,- tha zoti Rama gjatë mbledhjes jashtë radhe të grupit parlamentar të PS-së të mërkurën, ku ngriti pikëpyetjen nëse institucionet e drejtësisë po e përdorin pavarësinë për të bërë drejtësi apo politikë.
Por që atë ditë dhe deri tani, as ai, as mazhoranca që përfaqëson nuk kanë ndërmarrë ndonjë akt konkret për të vënë në lëvizje mekanizmin hetues të ILD-së.
GazetaSi.al e konfirmoi këtë zyrtarisht përmes Inspektoratoratit të Lartë të Drejtësisë, ku deri në mbyllje të orarit zyrtar të kësaj jave nuk ka pasur asnjë ankesë në adresë të gjyqtarit Erion Bani apo prokurorëve Ols Dado dhe Altin Dumani.
Pyetjes së GazetaSi.al, nëse ka ndonjë ankesë të depozituar në ILD për prokurorët që kanë hetuar zotin Veliaj dhe për gjyqtarin që vendosi masën e sigurisë, ILD iu përgjigj shumë shkurt, por qartë se nuk ka një ankesë të tillë.
“Lidhur me pyetjen tuaj tê parë, ju bëjmë me dije se pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtesisë, deri në datën e kësaj përgjigjeje, nuk ka ankesë te depozituar për magjistratët të cilëve u referoheni”, – thuhet në reagimin e ILD-së në fund të orarit zyrtar të ditës së premte.
Sipas Ligjit Për Organet e Qeverisjes së Drejtësisë, vënia në lëvizje e hetimit për shkelje disiplinore ndaj njerëzve të drejtësisë, është një nga gjërat më të thjeshta, pasi e drejta e ankimimit i takon kujtdo qytetari në Republikën e Shqipërisë.
Por ligji nuk ndalon vetëm këtu. Një nga organet që ka të drejtë të posaçme të ankimit është Ministria e Drejtësisë.
Kryeministri ia tërhoqi vëmendjen ministrit Ulsi Manja ditën që akuzoi ILD-në se po fle gjumë në lidhje me shkeljet e ligjit nga gjyqtari dhe prokurorët e çështjes Veliaj, por deri tani qeveria nuk e ka ushtruar këtë të drejtë që i jep ligji.
Asnjë hetim kryesisht
A mund të nisë vetë ILD një hetim, pa i ardhur një ankesë? Po! Ligji ia jep këtë të drejtë, kur thotë se “Inspektori i Lartë i heton shkeljet e dyshuara edhe kryesisht, bazuar në të dhëna publike ose të siguruara në kuadrin e inspektimeve institucionale e tematike”.
A do të nisë ILD verifikim të punës së gjyqtarit Erion Bani dhe prokurorëve Ols Dado dhe Altin Dumani për rastin Veliaj, bazuar në pretendimet publike për shkelje të ligjit dhe përdorim politik të drejtësisë?
Kjo ishte pyetja e dytë që GazetaSi.al i drejtoi ILD-së dhe përgjigja në këtë rast nuk ishte me Po ose me Jo.
“Lidhur me pyetjen tuaj të dytë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë po e ndjek me vëmendje këtë zhvillim dhe deklarimet publike mbi këtë çështje”, – thuhet në reagimin zyrtar të ILD-së, ku kuptohen dy gjëra.
Deri tani, Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk ka nisur asnjë proces kundër gjyqtarit dhe prokurorëve, por kjo nuk përjashtohet në të ardhmen.
Sipas praktikës së punës së ILD-së, Inspektori nis hetimin kryesisht, kur ka deklarime të besueshme publike për shkelje të ligjit nga njerëzit e drejtësisë.
Fakti që, deri tani, ILD nuk e ka bërë këtë, do të thotë se qendrimet e kryeministrit janë gjykuar të pamjaftueshme për të hapur një hetim kryesisht ndaj dy prokurorëve të SPAK-ut dhe gjyqtarit të GJKKO.
Java e ardhshme do të jetë vendimtare se deri në ç’pikë do të përfshihet qeveria në çështjen e arrestimit të kryebashkiakut Veliaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.