Nga Gazeta ‘Si’ – Arrestimi i serbit Srecko Sofronijeviç në Bërnjak, ka ngjalluar reagime të shumta nga Serbia.
Policia e Kosovës tha se e ka ndaluar në pikën kufitare me Serbinë për pjesëmarrje në protestat e vitit 2021, të organizuara për shkak të zbatimit të një aksioni kundër kontrabandës me mallra.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tha se arrestimi i tij është “shembulli më i mirë që tregon se si respektohen të drejtat dhe liritë e popullit serb në Kosovë dhe Metohi dhe ilustron më së miri se sa shumë kujdesen përfaqësuesit ndërkombëtarë për popullin serb në veri.”
“Regjimi i Albin Kurtit po bën gjithçka për të dëshmuar veten, kështu që në këtë kuptim, Srecko Sofronijeviç u arrestua dhe pa asnjë provë ai u urdhërua të ndalohej.
Për ta bërë ironinë edhe më të madhe, anëtarësimi eventual i Kosovës nën kujdesin e mentorit të pavarësisë së Kosovës do të fuste ‘vlera të reja’ në Këshillin e Europës, siç janë shtypja e lejuar e popullit serb, arrestimet dhe rrahjet pa asnjë bazë, sekuestrimi i tokës nga serbët pa asnjë procedurë ligjore dhe heqja e të drejtave për trajtim, ushqim, shtyp, ngjarje sportive dhe kulturore për një popull në tokën e Europës në shekullin e 21 nga regjimi në Prishtinë”, theksoi Lista Serbe.

Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviç tha se njerëzit e Kurtit e arrestuan atë pa asnjë arsye të vlefshme.
Si pasojë e rritjes së tensioneve protestuesit janë përleshur, atëbotë, me zyrtarët policorë, dhe patën mbetur dhjetëra persona të plagosur nga të dyja anët, përfshirë Sofronijeviçin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.