Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj është arrestuar dje në Tiranë. Arrestimi i ish-anëtarit të UÇK-së, është bërë me urdhër të Gjykatës Speciale të Kosovës, e cila bën kështu edhe arrestimin e parë në territorin e Shqipërisë.
Avokati i Goxhajt thotë se në këtë arrestim sheh ‘duar të zgjatura të Serbisë’.
“Në këtë përfundim, konstatoj duar të zgjatura të Serbisë për t’i çuar luftëtarët e UÇK në gijotinë. Më tej do të shikojmë kërkesa për ekstradim. Nuk është një procedurë që bëhet menjëherë. E vërteta sado të zhytet, nuk mundet, Dritani di të durojë sepse ka duruar edhe makinerinë e plumbave serbe”, tha ai.
Ndërkohë në Prishtinë reagoi Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Në një reagim në rrjetet sociale, Faton Klinaku nga OVL e UÇK-së tha se arrestimi i Goxhajt është bërë për t’i frikësuar njerëzit që e kundërshtojnë një “gjykatë politike”.
“Në Gjykatën Speciale është penguar drejtësia nga vet ajo, duke i rrjedhur dokumentet e saj, si dhe duke i publikuar “viktimat” e me këtë edhe dëshmitarët. Edhe arrestimi i Dritan Goxhaj, bëhet për t’i frikësuar njerëzit që e kundërshtojnë një gjykatë politike”, ka shkruar Faton Klinaku nga OVL e UÇK-së.
Ish-pjesëtari i UÇK-së në Tiranë, Dritan Goxhaj u arrestua dje në Tiranë nën dyshimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




