Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka komentuar në Debat në A2CNN arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Për Flamur Nokën, arrestimi i fundit nga ana e SPAK është bërë falë presionit ndërkombëtar, teksa shtoi se Rama zgjodhi ta lëshonte Beqajn pasi duhet të merrte në mbrojtje Veliajn, aferat e të cilit sipas tij kutërbojnë era korrupsion jashtë kufijve shqiptarë.
“Gjatë ditës kaloi dhe akti i fundit i drejtësisë me regji. Ishte një moment që duhej komentuar. Arrestimi i Beqajt është vërtetimi i asaj që themi ne që drejtësia është me regji. Arrestojnë Beqaj se ka arrestuar me taksat europiane teksa për taksat shqiptare nuk e vret mendjen kush. Mund të jetë presion i partnerëve për fondet e vjedhura dhe janë të detyruar sepse partnerët ndjekin paratë e taksapaguesve të tyre.
Po të ishte drejtësi si ajo e një shteti ligjor, Beqaj dhe shefi i tij do të ishin nën akuzë për shpërdorimin e mbi 400 mln eurove në shëndetësi. Beqaj ka pasur një mbrojtje të hekurt në këtë çështje. Sali Berisha pa asnjë fakt vijon të jetë në arrest. Duhej të fashitej çështja e Veliajt, skandali i tij kutërbon përtej Shqipërisë. Ky është një skenar. Kryeministri e fshiu dhe nga fotot, sot e ka në krye të tavolinës për ditëlindje në Vlorë. Rama lëshoi njërin dhe mundohet të fusë në sqetull tjetër”, tha Flamur Noka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.