Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimin për dy persona në Fier për krim elektoral.
Sipas njoftimit të SPAK, nën hetim janë, Pandeli Bozha, babai i një kandidateje për deputete të PSD në këtë qark, Limonera Bozha, si dhe një person tjetër.
Më datë 8 maj 2025, Bozha, është takuar me shtetasin V.L., me qëllim për t’i kërkuar votën për vajzën e tij që kandidon si deputete.
Për të përmbushur kërkesën e tij, i ati i kandidates i ofroi V.L., një shumë parash, si dhe një fletë të ngjashme me atë të vorimit, ku ishte shënuar me ngjyrë portokalli emri i vajzës kandidate për deputete.
“Procedimi është regjistruar mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ndërsa hetimet janë zhvilluar me metoda proaktive të hetimit. Mbi bazën e hetimeve të kryera, deri tani është krijuar dyshimi i arsyeshëm, se më datë 08.05.2025, rreth orës 10:00, shtetasi me inicialet P.B. është takuar me shtetasin V.L në banesën e këtij të fundit dhe i ka kërkuar mbështetje për vajzën e tij – kandidate për deputete e një subjekti politik në zgjedhjet e 11 Majit 2025. Në këmbim të mbështetjes, shtetasi P.B i ka ofruar shtetasit V.L një shumë parash dhe një fletë të ngjashme me atë të votimit, ku me ngjyrë portokalli, ishte shënuar emri i kandidates që duhej të votohej”, sqaron SPAK.
I ati i kandidates, me urdhër të SPAK është arrestuar për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”. Shtetasi V.L. është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”.
“Nga hetimi rezulton se shtetasi V.L. ka konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, ndërsa shtetasi P.B. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”. Më datë 12.05.2025, në orën 02:00 është ekzekutuar urdhri i prokurorit të posaçëm për ndalimin e shtetasit, P.B, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë shtetasi, V.L. Hetimet vijojnë për të verifikuar raste të tjera të shitblerjes së votës nga shtetasi, P.B.”, – informon SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.