Drejtësia

Arrestimi i Alda Klosit, Prokuroria e Tiranës: Hetimet janë komplekse dhe vijojnë

Prokuroria Tiranë ka dhënë detaje dhe informacion zyrtar në lidhje me arresimin e Alda Klosit, ish-zyrtares në shtëpinë e së cilës u vodhën qindra mijëra euro.

Sipas Prokurorisë, “në vazhdën e hetimeve dhe akteve hetimore të administruara në kuadër të këtij procedimi penal, kanë rezultuar fakte e rrethana që përbëjnë elementë të veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë  kriminale” dhe “ Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga nenet 257/a, 287 e 305/b i K. Penal. Sa sipër, mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme të bazuara në prova, është bërë ndalimi i shtetases A.K., e vënë nën hetim për konsumimin e elementeve të këtyre veprave penale”.

Me urdhrin e datës 03.02.2023, është regjistruar në regjistrin e veprave penale, emri i shtetases A. K., e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë, i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë  kriminale” dhe “Deklarata të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga nenet 257/a, 287 e 305/b i K. Penal.

“Hetimet në lidhje me ketë rast janë komplekse dhe në vijim, duke garantuar se Prokuroria është maksimalisht e angazhuar dhe do të kryejë çdo veprim hetimor me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, dhe vënien përpara përgjegjësisë te çdo personi të përfshirë në të”, tha Prokuroria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë