Nga Gazeta ‘SI’- Policia e Fierit arrestoi mëngjesin e sotëm Çlirim Doganin, 55 vjeç, i dyshuar se ka bashkëpunuar me Ermalinda Ramën për vrasjen e të atit.
Dogani ka mohuar përfshirjen para policisë duke thënë se ndodhej në fshatin e tij në momentin që ka ndodhur krimi.
Mediat raportojnë se policia dyshon për një marrëdhënie intime midis Doganit 55 vjeç dhe Ermelindës, 26.

Banorët e fshatit Arapaj në Roskovec kanë shprehur habi për arrestimin e 55-vjeçarit.
Në prononcimet që kanë dhënë për mediat, banorët thonë se Çlirim Dogani është i martuar dhe me dy fëmijë, e prej vitesh punon si shofer i linjës së urbanit të Fierit dhe fshatrave të zonës.

Vajza e xhaxhait të Çlirimit, Manushe Dogani dhe një banor, Fatmir Çalamani, pohojnë se njihet në fshat si njeri i mirë, punëtor e familjar.
Manushe Dragani: Çlirimin e njoh shumë mirë, është shumë djalë i mirë. Është familjar, ka dy fëmijë, djalë e vajzë. Vajzën e ka të martuar, djalin të pamartuar. Familja me bujqësi merret. Për ngjarjen nuk jam në brendësi. Nuk ma merr mendja kurrë që të bëjë Çlirimi këtë gjë.
Fatmir Çalamani: Është një djalë shumë i pastër, punëtor, familje e pastër dhe nuk ka pasur asnjë lloj problemi këtu në territorin tonë. Asnjëherë problematikë. Ai ka qenë shofer autobusi, është shumë i saktë, pa probleme në zonën tonë. S’ma ha mendja që të përfshihet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



