Politike

Arrestimet te Universiteti Bujqësor/ Rama: Nuk shoh arsye për këtë goditje. Çfarë do të mendojnë partnerët?

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama komentoi masat e sigurisë të vendosura ndaj stafit të Universitetit të Bujqësorit ku u shpreh me shqetësim se 24 të tilla janë një numër marramendës.

Në dëgjesën e Rektorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku në grupin parlamentar të Partisë Socialiste, Rama nënvizoi faktin se fillimisht është siguruar që rektori nuk është një person nën hetim.

Në këtë drejtim, Rama theksoi se “ne nuk mund t’i japim hapësirë dhe të bëjmë dëgjesa me persona në hetim”.

“Së dyti është mirë ta dinë të gjithë se para se ju të kandidonit për rektor i keni drejtuar një letër SPAK, ku i keni kërkuar të sqarojë për ju nëse ky kandidim do të kishte ndonjë pengesë për shkak të statusit dhe përgjigjja ka qenë për ju se mund të vazhdoni të kandidoni”, shtoi Rama.

Rama theksoi se të gjithë duhet ta kuptojnë që shqetësimi shumë i madh në këtë rast nuk lidhet fare me faktet apo me fajësinë apo pafajësinë e personave, por lidhet sipas tij me nxitimin për të deklaruar 24 persona në masë sigurie për një universitet që është në një kthesë historike.

“Të marrësh 24 masa dhe t’i japësh shqelmin një marrëveshje të bërë duke shkuar unë atje personalisht si lyps në shkallët e Universitet të Bokut të Vjenës ku më shihte rektori si UFO, 150-160 vite Universitet je i pari kryeministër që vjen këtu dhe nuk e di çfarë kërkon”, tha Kryeministri.

Edhe pse nuk sheh arsye për këtë goditje të arsimit të lartë, ajo që shqetëson Ramën nga këto 24 masa sigurie, është mendimi i partnerëve austriakë të Universitetit Bujqësor dhe fakti që sipas tij kjo nuk do të pengojë punën e universitetit.

“Gjëja e parë që mua më ka shkuar në mend është çfarë do të mendojnë partnerët austriakë kur ta dëgjojnë. 24 veta masë sigurie, një numër marramendës për një çështje që ka 2-3 vjet dhe që nuk ka asnjë lloj arsye për të krijuar këtë goditje për një institucion të arsimit të lartë. Aq më tepër që bëhet fjalë për fonde të kërkimit shkencor, ku nëse kanë pasur abuzime abuzuesit do përgjigjen deri në fund, por 24 masa sigurie kjo besoj është e mjaftueshme për sa i përket çfarë tha rektori dhe shqetësimi është për të dhënë mesazh për prindërit, studentët e partnerët që ndërkohë që drejtësia do të bëjë punën e vet nuk ka arsye për të bllokuar punën. Duke qenë që rektorin kemi pak demokrat, është mirë ta lëmë të lirë të vazhdojë punën”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë