Politike

Arrestimet në UBT, rektori Sallaku: Edhe mua më është marrë telefoni, besoj se shumica e pedagogëve janë të ndershëm

Nga Gazeta Si- Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku, deklaroi para grupit parlamentar të Partisë Socialiste, se edhe atij i është marrë telefoni, në kuadër të hetimeve që u zhvilluan nga Prokuroria e Posaçme dhe që përfunduan me arrestimin e 5 personave, dhe dhënien e masave më të lehta të sigurisë për 19 persona të tjerë, mes tyre zëvendësrektorë, pedagogë, drejtorë prokurimesh e specialistë IT.

“Unë nuk di asnjë lloj informacioni se çfarë është trajtuar. Fatmirësisht ligji i arsimit të lartë e ndan shumë mirë anën administrative me anën akademike. Që do të thotë rektori me gjithë stafin akademik e mbaron punën e vet deri në dërgimin e buxhetit në senat. Kam qenë subjekt i marrjes së telefonit, jam treguar totalisht i gatshëm, nuk kam asgjë për të fshehur. Kemi qenë bashkëpunues, kemi dhënë të gjitha informacionet e kërkuara”, tha Sallaku.

Sallaku tha se zgjodhi të ishte i pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, për të mos iu shkëputur asgjë nga konteksti, për shkak të detyrimeve ndaj stafit akademik, studentët, prindërit dhe partnerët.

“Dua t’iu bëj me dije që dje edhe unë e kam marrë vesh nga media… Kam mbledhur asamblenë akademike të UBT, ku kemi sqaruar situatën dhe që në krye të radhës dua të konfirmoj faktin që nuk komentojmë asnjë vendim të drejtësisë, absolutisht. Ne besojmë që do të ketë një proces absolutisht të ndershëm, por ajo që besoj është që shumica e pedagogëve të mi i përkasin njerëzve të ndershëm dhe asnjë proces nuk e zhbën realitetin që besojmë unë dhe studentët në UBT. Çdo koleg ka filluar betejën për të pastruar veten e vet dhe shpresoj që çdonjëri të faktojë me fakte që kanë vepruar me ndershmëri”, shtoi Sallaku.

Ai konfirmoi se nuk del në mbrojtje të personave që kanë abuzuar dhe se ia lë drejtësisë të veprojë. “Shpresoj shumë të jetë një proces sa më i ndershëm. Ky staf, sidomos studentët, prindërit, duhet të qetësohen sepse në shtator do të shkojmë me një ofertë të re akademike. Shpresoj shumë që personat që janë nën hetim të gjejnë të gjitha energjitë, i mirëkuptoj, por shpresoj që çdo gjë të shkojë në vendin e vet, çdo person të pastrojë imazhin. Drejtësia të bëjë punën e vet”.

Një hetim i nisur prej tre vitesh për stafin e Universitetit Bujqësor në Kamëz ka çuar në pranga me urdhër të SPAK 5 persona, 10 në arrest shtëpie e 9 të tjerë në detyrim paraqitje, mes tyre zëvendësrektorë, pedagogë, drejtorë prokurimesh e specialist IT.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë