Ka ndodhur

Arrestimet e inspektorëve për korrupsion, IMT: Distancohemi plotësisht! I shkarkuam nga detyra

Nga Gazeta ‘Si’- Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit në Tiranë ka reaguar pas një aksioni të SPAK dhe Policisë së Shtetit që çoi në pranga dy inspektorë të dyshuar për korruspion, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim.

Në reagim, IMT distancohet nga ngjarja duke thënë se veprimet korruptive të punonjësve janë veprime individuale, duke bërë thirrje gjithashtu që institucionet ligjzbatuese të veprojnë.

IMT thekson se ka marrë masa duke i shkarkuar edhe nga detyra punonjësit e akuzuar.

“Sjellje të tilla janë të papranueshme dhe IMT distancohet plotësisht nga këto veprime individuale. Ndaj personave të përfshirë janë marrë menjëherë të gjitha masat e nevojshme administrative, duke i shkarkuar nga detyra.

Theksojmë se ky rast nuk përfaqëson punën dhe misionin e IMT-së. Institucioni ynë mbetet i përkushtuar të vijojë punën me integritet, transparencë dhe profesionalizëm, në shërbim të interesit publik dhe në mbrojtje të territorit.

IMT inkurajon organet ligjzbatuese për bashkëpunim të plotë dhe ndëshkimin e rastit sipas ligjit, si edhe inkurajon çdo qytetar të denoncojë raste të ngjashme, në mënyrë që të mos mbetet asnjë hije dyshimi mbi integritetin e institucionit dhe misionin e tij”, shkruan IMT.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë