Drejtësia

Arratisja e Altin Ndocit shtyn ‘Plumbin e Artë’. Hetime për transferimin në burgun e Durrësit

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka shtyrë më 20 janar seancën e radhës në procesin gjyqësor për të pandehurit e dosjes “Plumbi i Artë”, ku shkak ka qenë mungesa e Altin Ndocit pas arratisjes së tij dy ditë më parë nga Spitali i Durrësit.

Në nisje të procesit gjyqësor, gjykata ka lexuar shkresën e burgjeve: Altin Ndoci nuk mund të shoqërohet pasi është arratisur dhe është person i shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit.

“Duke marrë në shqyrtim mungesën e këtij të pandehuri, Altin Ndocit, për arratisjen e tij. Në kushtet e pamundësisë për ta shoqëruar në seancë e sotme Gjykata, vlerësohet që gjykata të përsërisë njoftimin për të pandehurin me anë të Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, DVP Durrës, DVP Lezhë dhe për të marrë një konfirmim për paraqitjen apo jo një mundësie për të ardhur në këtë gjykim. Gjykata shtyn seancën me datën 20 Janar në orën 10:00”, thuhet në arsyetimin e vendimit të GJKKO-së.

Në këtë moment, njëri prej avokatëve të Ndocit, Aldo Shkëmbi i ka kërkuar gjykatës për të dërguar sipas procedurës njoftimin për mbajtjen e seancës dhe tek banesa e të pandehurit, pasi mund të ndodhet dhe atje, situatë për të cilën askush nuk ka dijeni.

“I kërkojmë gjykatës t’i dërgojë kërkesë policisë për të bërë njoftimin sipas procedurës, sepse Altin Ndoci mund të jete edhe në banesën e tij, në këtë nuk e dimë”, tha avokati Shkëmbi.

SPAK ka kërkuar që procesi gjyqësor të vijojë, duke shtuar se nuk ka asnjë ndryshim për pjesën tjetër të të akuzuarve.

Në përgjigje të kësaj, prokurori i SPAK Behar Dibra, është shprehur se: “Nëse Ndoci ka pasur dijeni për këtë seancë para arratisjes, nuk përbën shkak për moszhvillimin e seancës, duke pasur parasysh se vetëm 1 herë që është paraqitur në këtë proces”.

Në dosjen “Plumbi i Artë”, Altin Ndoci akuzohet për krime të rënda, përfshirë vrasje, trafik droge dhe veprime të tjera kriminale.

Arratisja e tij, sipas gjykatës dhe DPB-së, mund të ndikojë në procedurat e mëtejshme, por procesi për të tjerët nuk është ndalur.

Ndërkohë, edhe pse konsiderohej një individ me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Prokuroria e Durrësit ka nisur një hetim për transferimin e Altin Ndocit në burgun e Durrësit, një institucion i sigurisë së zakonshme.

Ndoci është transferuar në maj 2020 në Durrës dhe prokuroria ka sekuestruar të gjitha praktikën që është ndjekur për rastin e tij.

Një tjetër pistë e rëndësishme është ajo e dokumentacionit shëndetësor. Kartela mjekësore e Ndocit, ku janë regjistruar të gjitha shkaqet e dërgimit të tij për vizita mjekësore që prej vitit 2020, po analizohet me imtësi.

Veçanërisht po shqyrtohet rekomandimi i mjekut të burgut, i datës 13 janar 2026, për transferimin e tij në repartin e Infektivit në spitalin e Durrësit, moment që Ndoci shfrytëzoi për t’u arratisur.

Po ashtu do të pyetet ish-drejtori i Burgjeve dhe zyrtarët që kanë bërë vlerësimin. Sa i takon arratisjes së tij, sipas burimeve, hetuesit do të verifikojnë të gjithë personat që kanë vizituar në burg Ndocin javët e fundit.

Prokuroria dyshon se mes tyre mund të jenë organizatorët e arratisjes, e cila dukej se ishte e planifikuar më herët.

Makina tip “Audi” që e mori Ndocin pasi doli me vrap nga ambientet e spitalit të Durrësit, është parë për herë të fundit në aksin që e lidh qytetin bregdetar me Tiranën.

Dy ditë më parë, Ndoci, teksa ishte duke bërë disa vizita mjekësore në repartin e Infektivit, arriti që të largohej nga Spitali i Durrësit, ndonëse jashtë derës ku po vizitohej kishte policë.

Pas ngjarjes së paprecedentë, u shkarkua gjithë zinxhiri i burgut të Durrësit, si dhe drejtori i këtij institucioni të vuajtjes së dënimit, ndërkohë që 8 persona u arrestuan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë