Drejtësia

Arratisja e Altin Ndocit nga spitali, lirohet nga qelia ish-drejtori i burgut të Durrësit

Gazeta Si – Ish-drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cerloj është liruar nga qelia ku mbahej prej muajsh nën dyshimin e shpërdorim detyre për ngjarjen e ndodhur më 13 janar, kur Altin Ndoci arriti të arratisej teksa ndodhej në spital.

Vendimi është dhënë të hënën nga Gjykata e Durrësit, ku gjyqtari Xhevdet Lika, i cili ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg”, në “arrest shtëpie”.

Ish-drejtori i IEVP, bashkë me disa zyrtarë të tjerë të policisë së burgjeve dhe staf civil, se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë shpërdoruar detyrën me pasojë shkeljen e procedurave për shoqërimin në spital të Altin Ndocit, i cili u arratis, ndërkohë që akuzohet nga SPAK për vepra të rënda penale.

Cerloj ishte arrestuar rreth tre muaj më parë, pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci, ngjarje e ndodhur më 13 janar në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku ai po trajtohej në Repartin Infektiv. Rasti shkaktoi reagime të forta institucionale dhe ngriti dyshime për shkelje të procedurave të sigurisë.

Pas ngjarjes, jo vetëm Cerloj, por i gjithë zinxhiri komandues i Burgut të Durrësit u shkarkua nga detyra. Ndërkohë, autoritetet arrestuan gjithsej 8 persona, mes tyre edhe kryeinfermierin Aulon Çuko dhe zëvendësshefin e komanduar të Policisë së Burgut, Desdemon Pazaj.

Ndërkohë, Altin Ndoci vijon të jetë ende në arrati, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive për këtë ngjarje vazhdojnë. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë