Sali Berisha doli këtë të shtunë për të denoncuar largimin nga vendi të Erion Veliajt. Në një deklaratë për mediat, kryetari i PD-së u shpreh se ky veprim i kryebashkiakut është arratisje nga drejtësia.
“Lajme të shumta bëjnë të ditur se Erion Veliaj, bashkëpronari i vërtetë i djegësit të Tiranës, që mungon, i pyllit 1 milion pemë që nuk ekziston, i modelit të vjedhjes 100 përqind me 5D, pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit, sipas thashethemit për në SHBA, por në të vërtetë drejtimi është i panjohur. Zonja dhe zotërinj, ky është një akt nga më të rëndët në historinë e një shteti, i organizuar, i orkestruar direkt nga Edi Rama.”
Sipas Berishës, ky akt i Veliajt është mbështetur nga Edi Rama, duke akuzuar se kryeministri ka influencuar që Veliaj të mos vendosej në masën e sigurisë të ndalimit për të dalë jashtë vendit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar pas akuzave të Berishës duke thënë se po udhëton drejt SHBA-ve për takime të planifikuara kohë më parë. Ai shprehet se nuk është non grata, duke ironizuar kryedemokratin të cilit i drejtohet edhe me akuza.
“O fundërrinë e historisë, që u bërë stërgjysh dhe sa më shumë zhubravitesh në atë surratin e lig, aq më shumë qelb Tiranën me gojën tënde”, i përgjigjet Veliaj.
Kryebashkiaku njofton se do të rikthehet në Shqipëri pas 2 ditësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.