Gazeta Si – Drejtësia shqiptare është në pritje të ekstradimit nga Zvicra të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i akuzuar për çështjen e inceneratorëve.
Gjatë bashkëbisedimit me përfaqësues të mediave në vend, Dumani nënvizoi se SPAK “është në pritje të një përgjigjeje nga autoritetet zvicerane për ekstradimin e ish-zëvendëskryeministrit” shqiptar.
Ai komentoi edhe deklaratat e Ahmetajt në dokumentarin e publikuar nga Rai 3. “Ne kemi procedime për inceneratorët dhe këto deklarata janë duke u verifikuar në kuadër të këtyre procedimeve”, u shpreh Dumani.
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej thuajse një viti, sa i takon aferës së inceneratorëve.
Më 24 korrik të vitit të shkuar, Prokuroria e Posaçme iu drejtua me një kërkesë Interpol Tiranës, për të vijuar me procedurat ndërkombëtare.
Asokohe Ahmetaj ishte pranë familjes në Londër, ndërsa tanimë ai ndodhet në Zvicër, nga ku disa herë ka dhënë deklarata për mediat shqiptare.
Ndaj Ahmetajt rëndojnë tre akuza, “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje e pasurisë”. SPAK e akuzon se ka marrë përfitime të drejtpërdrejta e të tërthorta për koncesionet e 3 inceneratorëve, nga Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, të dy të shpallur në kërkim nga drejtësiia shqiptare për të njëjtën dosje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




