Ka ndodhur

Arqipeshkvi Frendo, drejt shërimit nga Covid-19

Arqipeshkvi George Frendo po e fiton betejën me Covid-19, teksa po vijon trajtimin në një spital të Barit në Itali.

Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë njofton se Imzot Frendo ka shfaqur ditën e sotme një përmirësim të ndjeshëm të frymëmarrjes.

“Tashmë me komunikimet e përditshme që kemi me Arqipeshkvin Metropolit SH. T. Imzot George Frendo, informojmë se gjendja fizike e tij është drejt një rikuperimi të plotë, po ashtu edhe situata e frymëmarrjes po bëhet gjithnjë e më autonome”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim zyrtar theksohet se ai po rimerr forcën dhe energjinë teksa të afërmit, mbështetësit dhe besimtarët i japin kurajë për një rikthim më të shpejtë në Dioqezë.

“Imzot Frendo ndihet shumë më mirë dhe, forca dhe energjia të cilat po i rimerr përmes kujdesit mjekësor si dhe përmes lutjes – me të cilën Zoti vazhdon ta ushqejë – i japin kurajë për një rikthim më të shpejtë në Dioqezë.

Falënderojmë Zotin për shëndetin e tij dhe vazhdojmë të lutemi për këdo që në këto momente po përballet me një sëmundje të tillë dhe për çdo operator sanitar i angazhuar në kujdesin ndaj të sëmurëve”, mbyllet njoftimi i Konferencës Ipeshkvore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë