Nga Gazeta ‘Si’– Këshilli Bashkiak i Himarës ka caktuar kryetarin e ri të bashkisë, i cili do të jetë Arqile Bollano.
Bollano do të kryejë funksionin e tij si kryetar i komanduar pas dorëheqjes së Blerina Balës dy ditë më parë.
Bollano ishte në garë me Pervin Gjikuria i cili gjatë mbledhjes së sotme deklaroi tërheqjen nga gara.
Për mediat Bollano u shpreh se do të punojë për të gjithë qytetarët dhe do të jetë bashkëpunues edhe me palën tjetër.
“Unë jam vazhdimësi e bashkisë dhe kemi gjithë punën për të bërë. Nuk ka vend për llafe por ka vend vetëm për punë. Kemi shumë gjëra për të bërë. Unë kam përgjegjësi të madhe dhe kjo do ta tregojë në vazhdimësi”, tha Bollano.
Ndërsa kandidati tjetër, Gjikuria u shpreh se i la vendin dikujt me eksperiencë dhe bashkëpunues si Bollano.
“Ka një eksperiencë të madhe në drejtimin e bashkisë së Himarës. Di të bashkëpunojë dhe kemi nevojë për një kryetar që di si të ecë puna”, theksoi Gjikuria.
Kandidati Arqile Bollano mori 12 vota pro nga Këshilli bashkiak i Himarës për të qenë kryetar i komanduar dhe 9 vota kundër.
Më 29 mars Blerina Bala u zgjodh kryetare e komanduar për Himarën nga Këshilli Bashkiak pasi dy kryetarët, ai në detyrë Jorgo Goro dhe i zgjedhuri Fedi Beleri përfunduan në burg.
Himara pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja vetëm pas një vendimi përfundimtar i Apelit të Posaçëm për Fredi Belerin, i dënuar me dy vite burg nga GJKKO pasi u kap duke blerë vota në zgjedhjet vendorë të 14 majit 2023.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.