Nga Gazeta “Si”. Shenja e veçantë e hapjes kremtore të Vitit Jubilar është shtegtimi i Kishës dioqezane dhe hyrja në procesion pas kryqit, brenda katedrales, ku Bariu i dioqezës ushtron magjisterin e tij, kryeson misteret hyjnore, liturgjinë e lavdit e të përgjërimit dhe udhëheq bashkësinë kishtare.
“Jubile” është emri i një viti të veçantë: duket se rrjedh nga instrumenti yobel, briri i dashit, tingulli i të cilit shpall Ditën e Shlyerjes së mëkateve (Yom Kippur). Kjo festë përsëritet çdo vit, por merr një kuptim të veçantë kur përkon me fillimin e vitit jubilar. Një ide e parë e tij gjendet në Bibël: duhej të shpallej çdo 50 vjet (shih Lev 25,8-13). Ky vit paraqitej si një mundësi për të rivendosur marrëdhënien e drejtë me Zotin, mes njerëzve dhe me krijimin, duke përfshirë faljen e borxheve, kthimin e tokave të huazuara dhe pushimin e tokës.
Historia e Jubileut në Kishën Katolike
Papa Bonifaci VIII shpalli Jubileun e parë në Kishën Katolike në vitin 1300, i quajtur gjithashtu “Viti i Shenjtë”, sepse është një kohë kur shenjtëria e Zotit na transformon. Frekuenca e tij u reduktua në 25 vjet në vitin 1470 nga Papa Pali II. Gjithashtu ka pasur edhe momente ‘të jashtëzakonshme’, si p.sh. në vitin 2015 kur Papa Françesku shpalli Vitin e Mëshirës. Mënyrat e kremtimit kanë ndryshuar: fillimisht përkonte me vizitën në Bazilikat romake të Shën Pjetrit dhe Shën Palit, pra me pelegrinazhin. Më pas u shtuan edhe shenja të tjera, siajo e Portës së Shenjtë dhe kishat jubiliare në mbarë botën.
Kuptimi shpirtëror për besimtarët
“Viti i Shenjtë” synon të jetë një kohë e rëndësishme reflektimi dhe rritjeje shpirtërore, ku Kisha i fton të gjithë besimtarët të rizbulojnë fuqinë transformuese të Mëshirës, përmes gjesteve konkrete të pendesës dhe bamirësisë.
Shenjat Jubiliare
Shenjat fizike dhe shpirtërore që shoqërojnë Jubileun janë të shumta. Pelegrinazhi: Simbolizon kalimin, që karakterizon ekzistencën njerëzore, nga jeta tokësore drejt destinacionit të përjetshëm në Qiell. Porta e Shenjtë: Vendosur në Bazilikat e Romës, përfaqëson derën e Shtëpisë së Atit Qiellor
që qëndron e hapur për ata që kthehen tek Zoti me pendesë dhe konvertim. Indulgjenca (Ndjesa e plotë) Jubiliare: Si debitorë të mëdhenj ndaj Zotit, përmes lutjes, veprave të bamirësisë dhe Sakramentit të Rrëfimit, Zoti fal penalitetet shpirtërore të atyre që afrohen me zemër të penduar për të marrë faljen e Tij. Dëshmia e Fesë: Është lutja që përmbledh të gjitha të vërtetat e Besimit. Ky akt, kulmi i pelegrinazhit në Romë, shpall bashkimin me pasardhësin e Shën Pjetrit, Papën.
Tema e shpresës
“Shtegtarët e shpresës” është tema e Vitit të Shenjtë, që nënkupton, se shpresa te Zoti nuk zhgënjen kurrë. Gjithmonë ekziston mundësia për ndryshim dhe shëlbim; Zoti nuk lodhet kurrë duke na pritur, sepse porta e Tij është e hapur për të gjithë. “Jubileu hapet që të gjithëve t’u dhurohet shpresa, shpresa e Ungjillit, shpresa e dashurisë, shpresa e faljes” (Papa Françesku)
Gjeste të Papa Françeskut
Papa Françesku hapi zyrtarisht Vitin Jubilar duke u bërë Papa i parë që hap një Portë të Shenjtë në karrocë. Si një gjest simbolik i vëllazërisë dhe ndjekjes së Shpirtit, të parët që kaluan Portën e Shën Pjetrit ishin njerëz të moshave dhe kombësive të ndryshme, duke paraprirë kardinalët. Porta e dytë e Shenjtë e hapur në Romë nga Papa Françesku ishte në një burg, si një simbol i shpresës, që hap dyert për të gjithë . Papa gjithashtu bëri thirrje të fuqishme për paqe dhe barazi sociale, duke kërkuar anulimin e borxheve për vendet e varfra.
Jubileu në Arqidioqezën e Tiranë-Durrësit
Një kalendar i pasur aktivitetesh dioqezane dhe kombëtare do të shoqërojë të gjitha grupet e besimtarëve dhe njerëzit e vullnetit të mirë për t’u afruar me hirin e Zotit gjatë këtij Viti të Shenjtë të Shpresës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.