Lojëra me Dore

Aromë marijuane në Us Open, Kirgios proteston tek arbitri

Gazeta Si – “Vjen era marijuanë, a mund t’u thuash se nuk lejohet?”. Nik Kirgios ka ndezur mbrëmjen në Flushing Meadows me suksesin në turin e dytë të Us Open ndaj Benjamin Bonzi, si dhe me kërkesën e pazakontë ndaj arbitrit të karriges, Jaume Kampistol.

Në rezultatin 4-3 të setit të dytë, australiani finalist i Uimbëlldonit, i bëri të ditur arbitrit se brenda stadiumit Louis Armstrong ndihej qartë era e marijuanës.

“Nuk është aspak ideale për dikë që vrapon në fushë, unë jam edhe me asmë”, – shtoi Kirgios. Kur u munduan t’i shpjegonin se ndoshta era vinte nga kuzhina, australiani u përgjigj: “Nuk do ankohesha për erën e ushqimit. Kjo është marijuanë”.

Me rikthimin në fushë arbitri bëri një njoftim: “Zonja dhe zotërinj, ju kujtoj se nuk mund të tymoset këtu në fushë”. Pas ndeshjes, Kirgios shpjegoi: “Ndoshta njerëzit nuk e dinë, por unë vuaj nga asma. Dhe nuk është aspak mirë për mua ajo që ndodhi”.

Gjatë ndeshjes Kirgios ishte protagonist i spektaklit të zakonshëm, duke biseduar me veten dhe me publikun. Ai mori një paralajmërim për fjalorin banal ndaj stafit të tij.

Gjashtë vite më parë Kirgios mori vëmendje pikërisht për shkak të marijuanës në Us Open. Ai iu përgjigj një ndjekësi në Tuiter se lojtarët mund ta pinin atë. Version që u konfirmua nga VADA, që saktësoi se përdorimi ishte i ndaluar gjatë kompeticionit, por lejohej për sportistët jashtë ndeshjeve.

Në finalen e Uimbëlldonit, Kirgios kërkoi largimin e një spektatoreje, që sipas tij, “kishte pirë të paktën 700 pije”. Në Uashington australiani u kërkoi dy tifozëve si ta bënte shërbimin për ‘match point’. Pasi gaboi u kërkoi falje, duke bërë që publiku të shpërthente në të qeshura.

Në Indian Uells, me Ben Stiler në tribuna, Kirgios reagoi kështu ndaj një tifozi: “Di të luash tenis mirë? Atëherë pse flet? Unë i the atij (tregon Ben Stiler) si të aktrojë? Jo”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë