Kimikatet që ndodhen në produkte kozmetike mund të aktivizojnë pjesë të trurit që janë përgjegjëse për funksionet riprodhuese. Një kërkim për këto kimikate ka identifikuar disa prej tyre që shumë prej nesh mund të hasin në mjedisin tonë, duke nxjerrë në pah një shkaktar të mundshëm për pubertetin e hershëm tek vajzat.
Njëra është një aromë e rëndë myshku e quajtur “Musk ambrette”, dikur e përdorur zakonisht në aromat e meshkujve, e cila ishte e ndaluar nga Bashkimi Evropian, megjithatë mund të gjendet ende në produktet e shitura në pjesën më të madhe të botës, përfshirë SHBA-në.
Gjatë shekullit të kaluar, moshat mesatare të fillimit të menstruacioneve dhe zhvillimi i gjirit kanë prirje në rënie. Ndërsa ka faktorë të qartë racial dhe socio-ekonomik, fenomeni është shumë global dhe shumë i shpejtë për të qenë tërësisht gjenetik, duke i lënë shkencëtarët të pyesin se cilët faktorë të rinj mjedisorë mund të shkaktojnë ndryshime të tilla të hershme.
Studiuesit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit i SHBA-së dhe Universiteti North Western zgjodhën të fokusojnë kërkimin e tyre rreth një rrjeti neuronesh në hipotalamus (rajon në tru), të njohura se luajnë një rol kritik në menaxhimin e fillimit të pubertetit.
Neuronet e hormonit çlirues të gonadotropinës (GnRH) stimulojnë gjëndrën e hipofizës në sekretimin e disa shenjave kimike, të cilat nga ana e tyre u ‘thonë’ vezoreve të prodhojnë estrogjen.
Studiuesit përdorën një kulturë indi të rritur në laborator për të kontrolluar efektet e substancave të ndryshme në aktivitetin e qelizave GnRH.
Vetë ekzaminimi ishte thelbësor, duke renditur rreth 10,000 substanca të ndryshme.
Një përbërës në veçanti u dallua, i quajtur musk ambrette. Dikur e gjetur zakonisht në kozmetikë dhe aromat e meshkujve, aroma e ëmbël, pak e rëndë, u ndalua nga Bashkimi Evropian në vitet 1990, pas dëshmive të neurotoksicitetit të saj tek minjtë, megjithëse vazhdon të përdoret në Indi dhe Kinë.
Substanca është më pak e zakonshme në produktet komerciale sot, falë rekomandimeve të Shoqatës Ndërkombëtare të Aromave. Por duke qenë rezistent ndaj degradimit, vazhdon të këtë ndikim në mjedis, gjë që mund të përbëjë një shqetësim serioz dhe të vazhdueshëm.
Musk ambrette është një formë sintetike e myshkut. Përdoret shpesh për t’i shtuar aromë produkteve të kujdesit personal dhe produkteve shtëpiake ose si një aromatizues ushqimor, thotë Michael Hansen, shkencëtar.
Testimi i mëtejshëm në qelizat hipotalamike të njeriut dhe të miut tregoi më tej potencialin e aromës për të nxitur pjesë të trurit në nxjerrjen e sinjaleve që mund të shkaktojnë pubertetin në moshat më të hershme.
Ajo që në sipërfaqe mund të duket si një prirje e parëndësishme ka pasoja të rëndësishme në shëndetin publik, me rrezik të shtuar të problemeve psikologjike, sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerit të gjirit të lidhur me fillimin e hershëm të pubertetit.
Kombinuar me studimet që zbulojnë se obeziteti dhe ndryshimet dietike mund të kontribuojnë gjithashtu në një rënie të moshave mesatare të menstruacioneve, është e mundur që një numër faktorësh mund të ndikojnë në mënyrën se si trupi i fëmijëve rritet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



