Sabina Veizaj-Qeveria arnon ligjin për koncesionet. Nga 1 korriku nuk do të ketë më ofertë të pakërkuara për rrugët, por ky mekanizëm investimi do të vijojë të jetë në fuqi për projektet në fushën e energjisë elektrike, portet dhe aeroportet me argumentin si sektorë strategjikë për të cilët vendi ka ende nevojë për investime dhe përvojën e sektorit privat.
Koncensionet me Partneritet Publik privat janë kritikuar prej do kohësh nga organizmat ndërkombëtarë si forma investimesh pa transparencë, me risk të lartë për buxhetin e shtetit dhe pa analizë të qartë kosto-përfitim ku mendohet që përfitimi të jetë vetëm për një grusht njerëzish.
Për rastin e propozimeve të pakërkuara, FMN do të përsëriste se “zakonisht ndodh që qeveria merr më shumë rreziqe, të cilat më pas sjellin kostot e tyre përkatëse” dhe këto projekte për FMN rezultojnë të mos jenë fizibël.
“Përdorimi i PPP-ve është i lartë e veçanërisht me ofertën e pakërkuar. Ky ka qenë dialogu me Ministrinë e Financave; të monitorohen PPP-të me kujdes dhe të ketë transparencë e jo favorizime”- do të shprehej Banka Botërore në muajin tetor të vitit që lamë pas.
Të njëtin shqetësim ngritit edhe Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij të 2018-ës për klimën e investimeve në Shqipëri. Raporti qe i ashpër dhe akuzat për korrupsion qenë të drejtëprdrejta.
“Raportet e korrupsionit në prokurimin e qeverisë janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat (PPP me ofertë të pakërkuar) ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë edhe investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata PPP deri në fund të vitit 2017”, citohej në raportin e DASH do muaj më parë.
Edhe Komisioni Europian u rreshtua në mënyrë të pavarur në krah të zërit të organizmave të tjera kundër mënyrës se si zhvilloheshin prokurimet publike kryesisht PPP-të dhe veçanërisht investimet me ofertë të pakërkuar.
Deputeti holandez Pieter Omtzigt i ka drejtuar Ministrit të Punëve të Jashtme të vendit të tij Stef Blok më datën 14 janar një sërë pyetjesh në lidhje mosrespektimin nga ana e qeverisë shqiptare të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (SAA) me Bashkimin Europian në fushën e tenderimit. Bëhet fjalë për aeroportin e Vlorës dhe Air Albania, të cilat u janë dhënë turqve pa garë të hapur.
Nisur nga kjo klimë deputeti holandez Omzig do të ngrinte një pyetje retorike nësë ka një tender të vetëm të zhvilluar në mënyrë korrekte në Shqipëri.
Megjithë kokëfortësinë e qeverisë shqiptare në mbrojtje të vazhdueshme dhe me këmbëngulje të koncesioneve, Ministri Ahmetaj do të deklaronte në muajin nëntor teksa diskutohej buxheti në komisionet kuvendore se “qeveria tërhiqej nga oferta e pakërkuar”
“PPP-të janë një alternativë që shtojnë asetet, por edhe mundëson shërbime për qytetarët. Konkretisht me anë të këtij ligji është propozuar që nga 1 korriku 2019 transporti dhe infrastruktura nuk do të ketë PPP me ofertë të pakërkuar. Po kështu do të bëhet heqja e bonusit për PPP- të pakërkuara, ndërkohë që dhe ato që do të mbeten, pra portet dhe aeroportet, do të hiqet bonusi” do të deklaronte Ahmetaj në përfundim të 2018-ës.
Sistemi i prokurimeve publike on line numëron 217 koncensione/PPP.
Por kanë qenë ato koncesione me ofertë të pakërkuar si Rruga e Kombit, Mamurras-Vorë-Rrogozhinë, Aeroporti i Vlorës, Stadiumi i ri Kombëtar, kullat pas Teatrit Kombëtar, koncesioni i faturave tatimore, konçesioni i autostradës Tiranës-Durrës, inceneratorët, Check-up-i që kanë goditur rëndë besueshmërinë e ndërkombëtarëve në lidhje me klimën që zhvillohet biznesi në Shqipëri dhe mospërputhjen me direktivat e BE-së ku Shqipëria po kërkon medoemos të anëtarësohet dhe po bën çmos që të mos ndodhë.
Projektligji…
E ndodhur përballë presionit ndërkombëtar, qeveria duket se ka lëshuar pe prej disa nga interesat e veta duke u përpjekur të arnojë ligjin.
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në LIGJIN NR.125/2013, “Për koncensionet
dhe parneritetin publik privat ”, të ndryshuar vjen si propozim i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Sipas projektligjit, nuk do të jetë më e mundur të propozohen nga sektori privat projekte koncesioni/PPP, në formën e propozimit të pakërkuar për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë.
Gjithashtu projektligji parashikon edhe shfuqizimin e sistemit të shpërblimit me pikë bonus të propozuesve të pakërkuar dhe zëvendësimin e tij me mekanizmin e kompensimit, i cili konsiston në kompensimin në vlerë monetare në 1 % të vlerës së investimit për shpenzimet e kryera për përgatitjen e studimit të fizibilitetit nga propozuesi i pakërkuar, në rast se ky i fundit nuk shpallet fitues.
Relacioni shpjegues i projektligjit sqaron se “heqja e sistemit të bonusit dhe përfshirja e projekteve të koncesionit për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë, brenda fushës së përgjegjësisë së këtij ligji bëhet në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian dhe direktivën 2014/23 UE “Për dhënien e kontratave të koncesionit” që nënkupton se qeveria pranon se deri më tani ka vepruar ndesh me këto rekomandime.
Por mandej në vijim të relacionit shpjegues të projektligjit thuhet se “Ky projektligj (në tërësinë e tij) nuk synon përafrimin me direktivat e BE-së.”
Risi e projektligjit është përforcimi i rolit të Ministrisë së Financave dhe krijimi organit kolegjial për koncesionet.
Momentalisht, ministria përgjegjëse për financat nuk merr nga autoritetet kontraktuese dhe si rrjedhojë nuk shqyrton raporte mbi performancën dhe ecurinë e kontratave të koncesionit/PPP.
Projektligji parashikon që çdo ndryshim si gjatë fazës së përgatitjes së projekteve (në studim fizibilitetit), por edhe pas nënshkrimit të kontratës, (kontrata e koncesionit/PPP), duhet të vlerësohet dhe të miratohet paraprakisht nga ministria përgjegjëse për financat.
Gjithashtu përpara nënshkrimit të kontratës përfundimtare të koncesionit/PPP, kjo kontratë do të paraqitet sërish për vlerësim pranë ministrisë përgjegjëse për financat, me qëllim verifikimin nëse autoritetet kontraktuese pas negociimit të saj i janë përmbajtur vlerësimeve dhe rekomandimeve të dhëna nga ministria përgjegjëse për financat.
Organi kolegjial për koncesionet
Në këtë projektligj është parashikuar edhe krijimi i një organi kolegjial, (Komiteti i Përzgjedhjes së Projekteve të Koncesionit/PPP), i cili do të përzgjedhë projektet e koncesionit/PPP të cilat do të asistohen me ekspertizë të specializuar, për hartimin e studimeve të fizibilitetit dhe/ose oponencën e tyre, duke i dhënë kështu një mundësi autoriteteve kontraktore që të kërkojnë mbështetje për zhvillimin e projekteve me ekspertizë të specializuar.
Komiteti i Përzgjedhjes së Projekteve të Koncesionit/PPP do të koordinohet së bashku me ATRAKO-n, ( e cila bëhet Agjencia e Trajtimi të Koncensioneve nga Njësi që quhet deri më tani) i cili do të analizojë kërkesat e autoriteteve kontraktuese për mbështetje me ekspertizë të specializuar dhe do t’i propozojë ato për miratim Komitetit.
Megjithë arnimet e ligjit për koncesionet që do të hyjë në fuqi në korrik, qytetarët shqiptarë do të paguajnë 100 milionë euro nga taksat për kompanitë koncesionarë gjatë 2019-ës. Referuar relacionit të projektbuxhetit 2019, fatura e koncesioneve do të rritet me 50 për qind krahasuar me 2018-ën, për shkak të hyrjes në fuqi të tre kontratave të reja. Ato janë rruga e Arbrit, koncesioni i Laboratorëve dhe mirëmbajtja e rrugës Durrës-Kukës.
Për 2019-ën, fatura e koncesioneve rritet me 4.2 miliardë lekë ose 49.5 për qind krahasuar me vitin që lamë pas.
Por tërheqja nga koncesioni për rrugën Thuman-Kashar me vlerë 225,8 mln lekë për ti shpënë paratë tek Pakti për Universitetin është konsideruar nga kryeministri si një reflektim për të përzgjedhur prioritetet. Por a është një reflektim i vërtetë kur oferta e pakërkuar nuk është shfuqizuar për të gjithë sektorët dhe bonusi përkthehet në vlerë monetare e roli i ministrisë së financave forcohet me një institucion mbështetës?!!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.