Futboll

Armando Broja në strategjitë e Milanit, por gjithçka varet nga Leao

Gazeta Si – Armando Broja nuk po shkëlqen aktualisht me Çelsin, por vlerësimi për të mbetet i madh. Trajneri Poter i ka besuar fanellën e titullarit në ndeshjet e fundit, siç ndodhi edhe ndaj Njukasëllit të shtunën, çka do të thotë se ka besim te sulmuesi kuqezi.

Besim te Broja ka edhe Milani, ekipi kampion në fuqi i Italisë. Sipas ‘Gazzetta dello Sport’, klubi kuqezi ka disa strategji për verën e ardhshme, ku një pikë e rëndësishme është afrimi i një sulmuesi me kualitet. Dhe aktualisht pëlqehen më shumë pikërisht Broja dhe Okafor i Salcburgut.

Armando Broja. Gazeta Si, 13 nentor 2022

Ajo që duhet theksuar ka të bëjë me faktin se strategjitë e Milanit varen shumë nga e ardhmja e Leaos, ndaj dhe në këtë moment nuk mund të bëhen parashikime të sakta. Rinovimi i mundshëm i portugezit do të influencojë të gjitha planet e qershorit. Bëhet fjalë për një investim shumë të rëndësishëm.

Interesimi i Milanit për Brojën nuk është diçka e re. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare shihet si një lojtar i përshtatshëm për planet e klubit italian, që kërkon të gjejë lojtarë me kualitet pa shpenzuar shuma të mëdha. Për momentin, rivali i sulmuesit shqiptar është vetëm Okafor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë