Gazeta Si – Armando Broja e ka shtyrë sërish takimin me golin në Premier Ligë. Pas ndeshjeve me Kombëtaren shqiptare, sulmuesi kuqezi luajti nga minuta e parë me Sauthemptonin në transfertën me Lidsin. Edhe këtë herë ai nuk ia doli të gjente rrugën e rrjetës.
Broja tregoi një nivel mesatar në këtë ndeshje, ku fitoi shumë faulle, por vetëm kaq. Ndeshja u mbyll në barazim, 1-1. Sulmuesi i ri shqiptar, i cili nuk shënon prej disa javësh në kampionatin anglez, nuk e gjeti golin as në miqësoret me Spanjën dhe Gjeorgjinë.

Një formë shumë të mirë sportive kanë treguar dy portierët e Kombëtares, Etrit Berisha dhe Tomas Strakosha, protagonistë në fitoret e Torinos dhe Lacios në Serinë A. Berisha ishte ventimtar në fitoren 0-1 të Torinos ndaj Salernitanës, ku priti praktikisht gjithçka dhe meritoi notën 6.5 nga specialistët e futbollit në Itali.
Strakosha po ashtu shfaqi një nivel të kënaqshëm në fitoren 2-1 të Lacios ndaj Sasuolos. Edhe ai ishte ndër më të mirët për skuadrën e tij këtë javë. Elseid Hysaj nuk luajti asnjë minutë në këtë ndeshje, çka konfirmon momentin jo të mirë për mbrojtësin kuqezi, i cili edhe në dy miqësoret e Kombëtares ishte larg nivelit të tij më të mirë.
Rei Manaj ka marrë një fitore shumë të rëndësishme për mbijetesën. Specia fitoi 1-0, me një gol në kohën shtesë ndaj Venecias. Manaj u fut nga stoli dhe luajti më shumë se 20 minuta në këtë ndeshje, duke dhënë ndihmën e tij për fitoren, edhe pse nuk mundi të shënonte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




