Interviste

‘Arkitektura, si instrument thelbësor i propagandës dhe pushtetit’

Nga Gazeta “SI” Arkitektura dhe kultura janë dy fusha të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Që nga lashtësia, antikiteti e më pas periudha mesjetare, ka qënë mënyra e jetesës ajo që ka diktuar arkitekturën dhe strukturat fizike si banesat, tempujt, kishat apo edhe institucionet shtetërore. Shqipëria duke qënë një vend i cili e ka kaluar një periudhë të konsiderueshme nën pushtim e për rrjedhojë nën ndikimin e pushtuesve të huaj, e ka pasur të vështirë të implementojë një stil arkitekturor të caktuar dhe autentik, fenomen i cili me gjasë ka ndodhur vetëm në pjesën perendimore të Ballkanit. Pushtimi osman ishte ai i cili la gjurmët më të mëdha arkitekturore në Shqipëri, që nga banesat private e deri te zyrat shtetërore. Italia fashiste, ndërtoi boshtin e kryeqytetit, por vetëm aq, duke e bërë thuajse të padukshëm ndikimin arkitekturor europian në ndërtimin e qyteteve shqiptare.

Arba Baxhaku, e diplomuar për arkitekturë dhe e doktoruar pranë Universitetit të Firencës, shpjegon në këtë intervistë për GazetaSi.al , ndikimin e kulturës në arkitekturën e vendit tonë e po ashtu atë të arkitekturës në mënyrën e jetesës.

Arba Baxhaku

Bazuar në kulturën e qytetërimeve botërore, që nga lashtësia, antikiteti, e më pas  stili gotik, ka qënë mënyra e jetesës ajo që ka diktuar ndërtesat dhe mënyrën e ndërtimit të tyre. A ka Shqipëria një kulturë arkitekturore, pra një zanafillë të ndërtimit të godinave, nisur nga mënyra sesi jetonin shqiptarët?

Arkitektura është e lidhur fort me mënyrën e jetesës: që në gjenezë të civilizimit, njerëzit ndërtojnë për të mbrojtur vijimësinë e jetës nga dukuritë natyrore. Fillesat e arkitekturës shoqërohen me një lloj ‘zbutje’ të elementëve natyrorë primarë si zjarri dhe uji të cilët behën pjesë primare e banesave. Kjo dukuri spikat në kulturën e territoreve shqip-folëse nëpërmjet traditës së ndërtimit të arketipit të banesës. Një shembull i drejtpërdrejtë është banesa-kullë e malësive shqiptare trajtat e të cilës janë të lidhura ngushtë me funksionin mbrojtës nëpërmjet masivitetit të strukturës së mureve dhe pranisë së frëngjive të qitjes. Gjithashtu edhe ne formësimin e ambjenteve të brendshme reflektohen ritualet e kulturës vendase: oda e zjarrit si hapësira bazë e zhvillimit të jetës familjare përreth vatrës, oda e miqve që kthehet në një strehë publike të vendimmarrjes së komunitetit etj.

Ndikimi turk e më pas italian. Ndërtesat e asaj periudhe në fakt janë dhe më të qëndrueshmet estetikisht në raport me veten por dhe mjedisin. A është tërësisht meritë e arkitekturës së importuar apo pati dhe elementë shqiptarë në këto ndërtime?

Është e vështirë vendosja e emërtesave kombëtare në një territor ku kufinjtë përcaktues të shteteve janë vendosur relativisht vonë. Në këtë rast, do t’i mëshoja më shumë trajtës universale të arkitekturës të lidhur me kulturën e përgjithshme mesdhetare, ku trajtat lokale ndërthurën pashmangshëm me influencat shekullore të dominimeve të brigjeve të Mesdheut që nga antikiteti greko-romak e më pas bizantin, sllav, venedikas, osman e në vijim.

Gjithashtu, vlen të theksohet se kërkimi i trajtave identitare specifike të një kulture të veçante është një qasje që shfaqet relativisht vonë në disiplinën e arkitekturës, në shtetet Ballkanike, një sprovë e tillë u aplikua më së shumti me krijimin e shteteve kombëtare pas rënies së Perandorisë Osmane, ndërsa në Shqipëri kulmoi përgjatë periudhës së Socializmit.

Godinat e ndërtuara gjatë periudhës italiane, pse nuk ndikuan në ndërtimet e mëvonshme në Shqipëri?

Për mendimin tim, ky pohim nuk është krejtësisht i vërtetë. Përgjatë socializmit, arkitektura italiane e tipit kolonial u trajtua me një respekt të veçantë nga autoritetet e kohës. Për shkaqe të ndryshme, objektet e ndërtuara gjatë fashizmit vijuan të përdoren, kryesisht për funksione publike duke u shndërruar në një referencë të rëndësishme për brezin e ri të arkitektëve të formuar përgjatë regjimit. Ende nuk është bërë një studim që dëshmon influencën e arkitekturës së fashizmit dhe asaj koloniale italiane në arkitekturën e prodhuar gjatë socialzimit por kemi shkrimet e vlefshme të arkitektit Petraq Kolevica i cili pohon referencat në veprat e tij të arkitekturës së ndërtuar nga italianët në vend. Gjithashtu, vlen për t’u theksuar se trajtat e arkitekturës së dy regjimeve ideologjikisht të kundërta kanë shumë të përbashkëta mes tyre, për shembull, monumentaliteti i huazuar arkitekturës fashiste shfaqet në ndërtimin e Pallatit të Kulurës.

Stili i ndërtimit të pallateve në periudhën komuniste, nga cilët elementë u diktua apo ishte një stil arkitekturor i  importuar?

Periudha e socializmit në Shqipëri zgjat 45 vjet dhe përshkohet nga disa faza influencash. Fillimisht shfaqet influenca sovjetike (vitet 1950, Kombinati i Tekstileve/ Kinostudio/ Pallatet e Shallvareve/ Agimet etj), më pas vijon periudha e prirur drejt funksionalizmit (komplekset e lagjeve të banimit, projektet TIP të banesave, parafabrikatet) e në fund, socializmi përmbyllet me një fazë në të cilën sprovohen shprehi ekspresioniste, në kërkim të tipareve kombëtare në arkitekturë

(piramida/muzeu kombëtar i Tiranës, Muzeu ‘Bajram Curri’ etj).

Sot në botë ndërtesa dhe stilet e reja të arkitekturës moderne janë shndërruar në atraksione turistike. Këtë “trend” po e aplikon edhe Shqipëria. A është në të vërtetë arkitektura moderne dhe ndërtesat e larta një mënyrë për të tërhequr vizitorë apo bazohen thjesht në funksionalitet?

Mendoj se  arkitektura, që në fillesat e saj, ka qënë një instrument thelbësor i propagandës dhe pushtetit dhe si e tillë vijon të jetë edhe në periudhën post-kapitaliste. Ndaj, sot, shpesh arkitektura trajtohet si një objekt konsumi e për këtë arsye tentohet të ngrihen ndërtesa që tërheqin vëmendjen e vizitorëve duke gjeneruar të ardhura.

Kultura ndikon tek arkitektura. Po arkitektura a mund të prodhojë kulturë? E kam fjalën për raportin estetik mes ndërtesave dhe jetesës së individit. 

Mbi të gjitha, është arkitektura e qytetit ajo që ndikon thelbësisht në kulturën njerëzore, nëpërmjet gjenerimit të hapësirës publike: sheshet, rrugët, bulevardet si dhe objektet me funksion publik, monumentet, objektet e kultit etj. janë katalizatorë të marrëdhënieve njerëzore e rrjedhimisht të prodhimit të kulturës qytetare. Nga ana tjetër, arkitektura me funksion privat, kryesisht zhvillimi i arketipit të banesës ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në kulturën individuale e raportet me familjen dhe komunitetin. Megjithatë, kjo temë përmbën një cështje të gjerë e cila meriton thellim shkencor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë