Nga Liridon Mulaj – Tirana e pas viteve 90-të pësoi një “krizë” arkitektonike dhe urbanistike. Ekonomia e lirë e gjithashtu liria institucionale , i dha hov sektorit të ndërtimit i cili pa asnjë strategji e shndërroi qytetin në një hapësirë të fragmentuar, me ndërtime pa kriter, aestetike dhe shpesh pa asnjë raport me përrethësinë. Nga pallatet e para post-diktaturë e deri te kullat e sotme, Tirana e ka një rrugëtim arkitekturor por nuk ka një identitet të tillë, i domsdoshëm për të krijuar një traditë të cilën nuk e patëm por dhe për të “prodhuar” kulturën e bashkëjetesës. Ky kaos thuajse depresiv, ka pushtuar qytetin në qosh por dhe në qendër duke riprodhuar të njëjtin peziazh si në qendër ashtu dhe në periferi.
Endrit Marku arkitekt i diplomuar në “La Sapienza” , i doktoruar pranë Universitetit të Ferrarës si dhe pedagog pranë Universitetit Polis, shpjegon për GazetaSi.al sesi Tirana sot është shndërruar në një laborator arkitekturor e gjithashtu skanon peizazhin e qytetit si një hapësirë identitare në sytë e të huajve, të cilët vitet e fundit janë të shumtë.

Çfarë përfaqëson një arkitekturë mikse si kjo e Tiranës për një të huaj i cili e viziton Tiranën?
Për ta parë qytetin si i huaj, duhet të jesh i tillë në të. Jo se një vendas nuk mund të jetë i huaj në qytetin e tij, madje ky fenomen sot prej ndryshimeve të shpejta është i zakontë mes banorëve. E megjithatë tek banori kjo vjen si largim ndërsa tek i huaji, si vizitor, procesi është i anasjelltë pra afrues. Tek ta Tirana vjen sëbashku me kureshtjen dhe e çliruar nga barra emocionale dhe funksionale që vendasi, sado i huaj, ka në vëndin e tij.
I huaji për të cilin po flasim është kryesisht turisti, pra një konsumator, i cili pas përvojës së tij do ndikojë në rritjen ose uljen e vlerës së “produktit” Tiranë. Në këtë aspekt ky i huaj kërkon të njëtjën gjë që kërkojmë të gjithë kur bëjmë një udhëtim. Një përvojë unike, me gjasë diçka të ndryshme nga përvojat e përditshmërisë. Një turist që vjen nga zymtësia klimatike e Europës veriore do të kërkojë diellin. Ata që kërkojnë një lloj shkëputje nga mbi-normimi dhe mbi-organizimi i shoqërive ku jetojnë do të kërkojë një mjedis më pak të rregulluar e jo-formal. Një i huaj nga bota perëndimore ndoshta e sheh Tiranën ndryshe nga një i huaj Europës lindore apo Azisë. Tirana duhet të perceptohet ndryshe nga një japonez i rritur në mjedise të planifikuara në nivel parcele dhe rrjedhimisht më të fragmentuara, dhe ndryshe nga një Hollandez i rritur në mjedise më homogjene të projektuara me imtësi nga lart poshtë.
Nëse konsiderojmë të huajin mesatar që ka filluar të vijë në masë këto vitet e fundit kryesisht nga perëndimi, arkitektura e Tiranës është përfaqësuesja koherente e shoqërisë që e jeton, e zhvilluar mes kontrastesh, varfërie dhe pasurie ekstreme, robërie dhe lirie po aq të skjashme, në kufi të perëndimit e lindjes, me kapërcime sa nga njëra ideolgji tek tjetra. Për të huajin miksiteti i Tiranës flet për një vend që është ende në kërkim të një identititeti e rrjedhimisht i hapur ndaj ç’do lloj forme arkitektonike. Për të kuptuar se çfarë përfaqson arkitektura mikse e Tiranës, për të huajin mjafton të shohim se ç’po projektojnë arkitektët e huaj në Tiranë. Sot për sot ata janë kontribuesit kryesorë në çuditë tona arkitektonike.
A janë kullat një atraksion ?
Kulla është tipi arkitektonik që sot më shumë se asnjë tjetër nënkupton zhvillim ekonomik, janë trajta e ndërtuar që përfaqson më mirë shoqërinë kapitaliste. Imazhi I tyre është ndër kontrastet më të papritura që lënë mbresa brenda mjedisit të ndërtuar. Kullat janë mrekulli inxhinerike, vepra njerëzore që qëndrojnë në këmbë pavarësisht përpjestimeve jo natyrore të trupit të tyre. Prej më shumë se një shekulli tashmë janë status-simbol i fuqisë së pushtetit. Kullat kanë brenda vetes një farë tipari primordial shumë joshës për të gjithë, sidomos për mendjet më të thjeshta mes nesh.

Nëse i shohim kullat e Tiranës përsëri nga këndvështimi i “të huajit”, ky i fundit pavarësisht infomacionit të bollshëm online, në nën-ndërgjegjen e tij pret të shohë kryeqytetin lindor, ballkanik, vëndin e ashpër dhe të varfër. Ai ka ndërmend bunkerët dhe gjurmë të dukshme të një vendi që jo shumë kohë më parë ishte i izoluar. Me të ardhur në Tiranë paragjykimet e ngulitura përballen me ahengun pamor urban, kulla shumëformëshe e shumëngjyrshme. Sipas këndvështrimit të një vizitori kullat e Tiranës duhet të jenë atraktive.
Ato janë tërheqëse dhe për vendasin. Grupmoshat që sot kanë më shumë ndikim në shoqëri janë rritur në qytete pesëkatëshe. Pesëkatëshi ishte i imponuar nga rregulloret sovjetike sipas të cilave ishte lartësia maksimale që nuk kishte nevojë për ashensor. Pra jemi rritur në hapësira fizike, dhe kulturore shumë utilitare, të kursyera dhe modeste ndërkohë që i zilepseshim modeleve perëndimore. Natyrshëm shqiptari bashkëkohor i rritur me mungesa i sheh këto objekte si dukuri të një përmbysjesje historike, si krenari e gjetur përkundrejt komplekseve dhe varfërisë të së kaluarës.
Disa muaj më parë mbi urën e madhe të Lanës ndesha disa turistë Italianë. Ata në një çast ndalën dhe filluan të tregonin me gisht nga kulla e ndërtuar në lindje të bulevardit me formën e pikselizuar të Shqipërisë. Zbulimi u shoqërua menjëherë me entuziazëm të dukshëm që e përfshiu të gjithë grupin. Mendo ç’do kishin bërë këta turistë sikur në vend të projeksionit të sheshtë të Shqipërisë ti ishte shfaqur mega-koka, në zhveshje e sipër, krah pallatit të kulturës.
Në portalet ndërkombëtare të arkitekturës, Tirana është shumë e pranishme me projekte shumëkatëshesh. Pa i lexuar diçiturat menjëherë nga imazhi i renderizuar e kupton që projektet janë në Shqipëri. Në to mund të vëresh çdo veprim të mundshëm projektimi, përdredhje, përmbysje, materiale, tekstura dhe ngjyra të gjthëfarëllojshme. Përmes ndërtimeve që janë në kërkim të protagonizmit kryeqyteti po kthehet në një lloj ekspozitori në qiell të hapur skulpturash të banuara. Angazhimi i arkitektëve të njohur ndërkombëtare në projektim ka për qëllim ti legjitimojë ato duke i dhënë statusin e veprës së artit.
Përtej veçorive të ndërtesave të larta, turisti do të konsumojë mallin që i jep, qoftë ai një qytet me kulla apo me vila. Turisti konsumon me të njëjtin oreks New Jorkun dhe Romën. Përvoja të sukseshme si ajo e shtëpisë së gjetheve, e bllokut, e pazarit të ri, apo dhe suksesi i parkut të liqenit tregojnë që turistit nuk i intereson kulla në vetevete. Ç’do kënd i qytetit po të dish ta vlerësosh arrin të bëhet tërheqës pasi sikur vetëm prej ekzistencës më të gjatë në qytet, ka më shumë për të thënë se një ndërtesë e çuditshme. Pesëmbëdhjetëkatëshi, parë në retrospektivë ka më shumë për të thënë sot nën hijen e ndërtesave më të larta sesa kur ngrihej i vetëm.

Parë nga perspektiva të ndryshme, Tirana në tërësi është një kaos godinash. Sipas jush pse është zgjedhur kjo strategji e ndërtimit kudo dhe pa kriter?
Tirana nuk është produkt i një strategjie por i shumë strategjive të njëpasnjëshme shpërfillse ndaj gjurmëve të lëna nga strategjia paraardhëse. Potpuria e ndërtuar është nënprodukt sa i larmisë aq dhe i mungesës së strategjive.
Gjatë periudhës të perandorisë Turke kohezioni imponohej jo dhe aq nga rregullat e shkruara sesa nga kufizimet e kohës. Tirana do ndërtohej e gjitha me tulla se s’kishte gurë ndërsa Gjirokastra me gurë se i kishte me shumicë. Ndikimet kulturore ishin të kufizuara dhe transferoheshim e transformoheshin shumë ngadalë. Pas pavarsisë, sidomos gjatë pushtimit Italian dhe komunizmit kohezioni vazhdoi të rezistonte në mënyra të tjera pasi zhvillohej në një mjedis të formëzuar nga trysni ideologjike dhe ekonomike të kontrolluara.
Normalisht pas viteve të socializmit tranzicioni nuk kishte si të mos zhvillonte një mjedis urban gjithashtu tranzitor dhe kaotik. Veçse kaosi i perceptuar në shkallë të madhe nuk vjen si pasojë e mungesës së kritereve në përgjithësi, por nga mungesa e kritereve që e shohin qytetin si produkt shoqëror që ka përparësi fillimisht të mirën e përbashkët e më pas të individit. Ndërtesat e marra një për një, çdo kioskë, shtesë, pallat apo kullë e Tiranës është ngritur mbi kritere shumë të qarta përfitimi të një grupi të ngushtë pa marrë parasysh interesin publik.
Sot për pejzazhin e ndërtuar të Tiranës ka strategji zhvillimi, ai rritet e zhvillohet bazuar në normativa të shkruara të cilat fatkeqësisht janë në thelbin e tyre disfunksionale. Ato janë ngjizur me frymën e tridhjetë viteve trazicion, pra janë kryesisht kodifikim i metodave egoiste dhe informale përmes të cilave e kemi zhvilluar qytetin pas viteve tetëdhjetë. Natyrisht një qasje simetrike është po aq problematike, ndërsa nje strategji e drejtëpeshuar mes interesave publike dhe private duket e largët.

Çfarë prodhon kjo arkitekturë në jetën sociale. A është kjo përzierje periudhash dhe stilesh arkitekturore një gabim i pandreqshëm?
Gabimet zakonisht i kuptojmë pasi i kemi bërë dhe ndërkohë që bëhemi të vetëdijshëm për gabimin e shkuar, jemi duke bërë gabimin e rradhës. Çdo ndërhyrje në qytet është e pandreqshme. Nuk ka kthim mbrapa. Por diskutimet për Tiranën duhet të jenë tashmë të një tipi tjetër, ato duhet të reflektojnë mbi ndikimin që ka qyteti në cilësinë e jetës së banorit. Përshembull karakteri i përzjerë është tashmë pjesë e realiteti tonë të ndërtuar, le ta pranojmë dhe ta mbajmë, fundja le ta kultivojmë. Madje mendoj që nëse ka një një veti që e bën imazhin e Tiranës te suksesshëm, ndryshe fjala bie nga revival’s-at naivë të Shkupit, është përqafimi pa kushte i postmodernitetit që është njëkohësisht tipar universaI i kohëve që po jetojmë.
Thënë kjo, arkitektura sipas këndvështrimit të periudhave dhe stileve ka ndikim të kufizuar në jetën shoqërore. Impakti shoqëror duhet kërkuar tek aspektet programatike dhe tek arsyet e ndërtimit të saj. Gjithashtu duhet të kuptojmë që një hapësirë është po aq arkitektonike sa një ndërtesë.
Për të reflektuar për marrëdhënien mes ndërtesës dhe mjedisit të jetuar duhet të fillojmë të pyesim veten nëse e ndihmon më shumë cilësinë e jetës tonë sociale një teatër i bukur apo ndërtimi i shumë qendrave kulturore funksionale në çdo lagje, një stadium madhështor që mbushet një herë në dy muaj apo komplekse sportive të arritshme me këmbë dhe përdorshme nga të gjithë, kullat spektakolare që po na rrethojnë apo parqet e mëdha urbane, një pallat i veçuar apo një pallat me oborr, një kafene “cozy” e dizenjuar me arkitekt apo një trotuar i gjerë, një ndërtesë shumë milionëshe e projektuar nga një star-arkitekt apo shumë ndërtesa publike , sado modeste, të projektuara nga të rinj shqiptarë.
Tirana nuk ka sot një zonë apo lagje muzeale. A ka nevojë qyteti për një të shkuar, sidoqoftë ajo?
Përkufizimi qytet muze, lagje muzeale dhe në përgjithësi termi muze që ne ia bashkëngjisim pjesëve të jetuara të qytetit tradhton marrëdhënien e pa shëndetshme që ne kemi më të shkuarën. Përdorimi i kësaj terminologjie menjëherë krijon distancë me subjektin. Qyteti si vitrinë e të shkuarës shkon ndesh me natyrën e tij. Atë mund ta bësh më një objekt por jo me një hapësirë ku jetojnë njerëz. Mbase edhe ky këndvështrim “dehumanizues” i qytetit të vjetër është një nga arsyet e parëndësisë së tij.
Kujtoj se si vetë jam rritur në një shoqëri të pavetëdijshëm për të kaluarën. Deri sa nisa të edukohem si arkitekt më tepër e shikoja Tiranën përmes mungesës të së resë sesa pranisë të së vjetrës. Kam dëgjuar histori që tregonin se si i gjithë qyteti u mbush me brejtës pasi u prish pazari i vjetër. Natyrisht këto justifikonin prishjen. Komshinjtë tanë, Tiranas të vjetër që jetonin në një vilë shumë të bukur të zhytur në gjelbërim i lavdëronin mamasë time apartamentin ku jetonim, i cili sipas tyre pastrohej kollaj. Me rënien e rregjimit të kaluar vlera ekonomike e rritur e qytetit të vjetër nuk ishte tek estetika apo historia e tij por te bollëku i metrave katror për tu shitur. Është e vështirë të futësh në muze një artefakt që nga një ditë në tjetrën u kthye nga vjetërsirë në komoditet, dhe komoditetet nuk e kanë vendin muze por në supermarket.
Për të ilustruar vështirësinë e ruajtjes së trashëgimisë së Tiranës mund të shërbejë një përvojë personale. Pak kohë më parë u bëra pjesë e një iniciativë që synonte ruajtjen e një lagjeje të Tiranës. Nisur dhe nga përvoja ime në angazhime të shpeshta me komunitetet u kujdesa që në strukurimin e idesë që ta shihja lagjen si hapësirë që duhej ruajtur duke e transformuar dhe jo duke e ngrirë. Ngrirja është po aq e rrezikshme sa fshirja e të kaluarës së qytetit pasi të paktën në Tiranë përvoja e ka vërtetuar se si ngrirjet e zellshme burokratike të dikurshme sot, shpesh pas ndonjë ‘aksidenti’ fatkeq, janë bërë të gjitha pallate. Nga takimet me banorët shpejt kuptova që pavarësisht dëshirës sime për ta parë lagjen njëkohësisht përmes interesit publik dhe privat, arritja e një të mesmeje ishte e pamundur. Asnjë zgjidhje që përfshinte ruajtjen e ndërtesave historike nuk ishtë krahasimisht e leverdishme për banorët pronarë sesa prishja e tyre dhe ndërtimi i pallateve. Balanca anonte edhe më shumë nga privati kur kishim të bënim me prona të vogla apo me shumë pronarë. E pra një lëmshnajë e tillë nuk mund ti lihet në dorë vetëm individivëve, ata nuk e zgjidhin dot dhe nuk do të pranojnë kurrë që të lëshojnë sado pak nga përfitimi, sikur dhe abstrakt, për çfarëdolloj interesi publik, sado kokret.

Nuk mund të them që Tirana ka nevojë jetësore për të shkuarën se po ta kishte do përkujdesej për të, por do të dëshiroja që e shkuara të ruhej. Ne i ruajmë kujtimet tona, të trashëguara nga prindërit, fotot e fëmijërisë, vizatimet, fletoret e shkollës. Aftësia për të kujtuar dhe mësuar prej të kaluarës ndan të ekzistuarit nga të mbijetuarit, një qënie menduese nga nga një frymor çfarëdo. Mbrojtja e dobët që i bëjmë të shkuarës nxjerr në pah mungesën e zhvillimit të shoqërisë tonë dhe dobësinë e institucioneve që ka ngritur, të cilat nuk arrijnë të prioritizojnë interesin e përbashkët.
Një pamje e Astirit është thuajse identike me atë Yzberishtit por edhe te Bllokut, në aspektin e peizazhit fragmentar të godinave të banimit. A ka një identitet Tirana sipas jush?
Me vjen të përmend një shprehje të Ungers-it, arkitekt gjerman, që e hasa para pak ditësh gjatë përgatitjes të një leksioni, që thotë:
“Arkitektura duhet të jetë një sistem i brendashkruar rregullash që mund të përsëriten, por me çdo përsëritje, duhet të jetë një objekt i ri, unik dhe i ndryshëm”
Pra pavarësisht veçorive ndërtesat dhe mjediset e ndërtuara do kenë ngjashmëri duke qenë se ngrihen brenda të njëjtit sistem. Natyrisht që periferitë e Tiranës do të kenë imazh të përafërt, ato ndërtohen në të njëjtin treg, të njëjtët furnitorë, nga arkitektë e ndërtues me botëkuptime të ngjashme, me të njëjtat kufizime urbane.
Mendoj që Tirana është e dallueshme, atë e shquan menjëherë nga një video ose fotografi. Ka një karakter të sajin dhe një identitet në formësim e sipër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.