Nga Gazeta ‘SI’ – Në muajin mars 2023 në arkën e buxhetit të shtetit u mblodhën pothuajse 59 mld lekë, 1.4% më shumë nga plani dhe 14% më shumë se marsin e 2022-shit.
Pjesa më e madhe e kësaj vlere erdhi nga tatimi mbi fitimin, e cila rezultoi 56% më shumë se plani, me një vlerë të arkëtuar 16.7 mld lekë vetëm për marsin. Në raport vjetor rritja është 63%. Ky ka qenë dhe burimi me rritjen më të madhe të të ardhurave për buxhetin e shtetit.
Më pas vjen TVSH, e cila në mars ka rezultuar 15.4 mld lekë, 1.6% më shumë nga plani, por 4% më pak se një vit më parë.

Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, që u zgjeruan me 20% nga marsi 2022 dhe rezultuan 10% më të larta se plani, në vlerën e 4.2 mld lekëve. Të ardhurat nga akciza pësuan rënie, 2% nga një vit më parë, 12% më pak se plani, në vlerën e 3.8 mld lekëve.
Për të njëjtën periudhë, u kryen 51.8 mld lekë shpenzime, 9% më pak se plani por 6.5% më shumë se marsi i shkuar. Nga këto 40.8 mld ishin shpenzime korrente dhe 11 mld shpenzime kapitale. Shpenzimet korrente raportohen 3% më pak se plani por 11% më shumë se marsi i shkuar. Ato kapitale, 2.3% më shumë se plani dhe 72% më shumë në raport vjetor.
Buxheti rezultoi përsëri me suficit edhe në muajin mars, 7.2 mld lekë, mbi 500% më shumë nga se ishte planifikuar dhe 130% më shumë se mars 2023.
Rritja e shpejtë e të ardhurave dhe suficitit në buxhet, shumë herë u justifikua nga qeveria me të ardhurat e larta nga TVSH, që për periudhën shkurt-mars nuk ka qenë më kontribuuesi kryesor në buxhet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



