Trashëgimi

Gërmime të reja në Apoloni, në gjurmët e mureve rrethuese dhe portës verilindore

Nga Gazeta Si - Porta verilindore e qytetit historik antik është misioni i radhës i projektit kërkimor, i cili ka nisur gërmimet e reja arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Apolonisë. Me nismë të Institutit Arkeologjik të Shqipërisë dhe në bashkëpunim me arkeologë francezë, projekti synon të zbulojë të dhëna të fazave të ndryshme të zhvillimit të murit fortifikues të qytetit antik, i cili daton në shekujt e periudhës klasike helenistike.

Pavarësisht temperaturave të larta, procesi i gërmimeve që ka nisur në muajin korrik do të vazhdojë edhe përgjatë gushtit për njohjen e mëtejshme të trashëgimisë arkeologjike.

Arkeologia Belisa Muka, bashkëdrejtuese e këtij projekti thotë se kjo fushatë kërkimesh që vijon në vazhdën e kërkimeve të mëhershme që janë bërë në Apoloni, në vitin 2019, synon të zbulojë më shumë në zonën e portës veri-lindore.

“Ky projekt synon vijimin e gërmimeve në zonën e portës veri-lindore, kërkime që kanë nisur që në vitin 2019. Ndër të tjera synon edhe studimin e linjës së fortifikimeve, nëpërmjet realizimit të survejimit topografik dhe fotogramtetrik”, shprehet Muka për Gazetën “Si”.

Nga gërmimet e derimëtanishme, Muka thotë se sektori i portës veri-lindore dëshmon potencialin e madh që ofron kjo zonë.

“Nga sektori i portës veri-lindore kuptohen ndryshimet në topografinë urbane nga periudha arkaike deri në fund të periudhës helenistike. Gjithashtu ajo krijon mundësinë e zgjerimit të itinerarit turistik njëherazi drejt akropolit verior dhe përgjatë pjesës lindore të fortifikimit”, vijon më tej ajo.

Muka sqaron më tej se gërmimet do bëjnë të mundur datimin e fazës së dukshme të fortifikimeve në këtë zonë.

“Po ashtu do të arrihet rindërtimi i pjesës jugore të lagjes së banimit, e cila daton që nga periudha arkaike dhe përvijimin e ndryshimeve që ka pësuar kjo zonë në periudhën klasike dhe në fund të periudhës helenistike”, shprehet ajo, ndërsa shton se “mbeten për t’u sqaruar forma e vetë portës, mënyra e bllokimit të saj, si dhe faza që lidhet me shkatërrimin”.

Ky projekt kërkimor bashkëdrejtohet nga arkeologia Belisa Muka dhe profesor Stephane Verger, me pjesëmarrjen e studiuesve të shumtë nga institucionet partnere dhe studentëve nga Departamenti i Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore, Universiteti i Tiranës.

I ndodhur 12 kilometra larg qytetit të Fierit, qyteti antik i Apolonisë, gjurmët e para të të cilit i përkasin shekullit IV para erës sonë, besohet se deri më tani është zbuluar prej arkeologëve vetëm 20% të tij.

Ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në Antikitet, Apolonia e Ilirisë ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve.

Apolonia ishte në atë kohë një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të lumit Aoos (Vjosë). Llogaritet që qyteti të ketë pasur rreth 60 000 banorë, një shifër rekord për Antikitetin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë