Biznes

Arka e shtetit në agoni, por qeveria mendon të hapë dyqane pa taksa në kufi

Pasi mbeti ligësht nga Vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së parë, e cila i la përdorimin e dyqanit “Duty Free” në Aeroportin e Rinasit kompanisë “Albanian Duty Free Distribution”, qeveria ka vendosur të rikthejë dyqanet pa taksa në të gjitha pikat kufitare tokësore.
Sipas Top Channel, dokumenti është në formë drafti dhe nuk ka kaluar ende për miratim. Sipas këtij propozimi, bizneset që do të licencohen për këto dyqane “Duty Free”, do të kenë të drejtën të shesin edhe karburant pa taksa.

Bizneset miliona euroshe do të kenë të drejtën pra të shesin karburant pa paguar asfare taksa duke rritur fitimet e tyre e në të njëjtën kohë duke boshatisur arkën e shtetit.
Ndërkohë që për vitin 2019 arka e shtetit rezulton me rreth 26.3 miliardë lekë apo 216 milionë euro më pak krahasimisht me planifikimin.

Të dhënat e Ministrisë së Finanacve tregojnë se gjatë vitit 2019 janë mbledhur gati 460.4 miliardë lekë nga 486.6 që ishte plani, ndërsa në raport me vitin 2018 ka një rritje prej 10.5 miliardë lekë.

Të ardhurat nga taksat janë ato që i kanë bërë gropën arkës së shtetit me gati 22 miliardë më pak.

TVSH-ja vijon të jetë më problematikja në zërin e të ardhurave tatimore me minus 18.9 miliardë lekë, ku në total janë mbledhur 132.4 miliardë lekë.

Në këtë situatë tejet të vështirë për financat e vendit, qeveria vendos të hapë dyqanet pa taksa, që përpos mallrave të luksit si parfumet, do të lejojë tregtimin e karburantit, një produkt i cili e rendit Shqipërinë ndër vendet europiane që e tregton më shtrenjtë atë me gati 170 lekë litri po aq sa në kryeqytetin e Francës, Paris.

Në vitin 2015, qeveria vendosi të kufizojë deri në 200 litra sasinë e karburantit që një automjet mund të merrte në vendet kufitare si Maqedonia apo Kosova ku nafta kushton më pak për shkak të taksave më të ulëta.

Në janar të këtij viti Konfindustria do të deklaronte se “mënyra e sotme e organizimit të tregut të karburanteve në vend, me shfaqje të përsëritura të sjelljes të tipeve “oligopol”, “kartel” etj. nga operatorët si dhe shkalla e ulët e kontrollit nga agjencitë qeveritare, rrisin shumë mundësinë e shkarkimit të rritjes së çmimeve në mënyrë të menjëhershme si dhe kostove të spekullimeve shtesë në dëm të qytetarëve dhe biznesit. “Vlerësohet, se kosto agregate e rritjes në mënyrë të pakontrolluar dhe spekullimeve të mundshme me çmimet e karburanteve ne ekonomi rrezikon të jetë e rendit të qindra milionë dollarëve. Tregu i karburanteve është më i madhi me mbi 10% të PPB-së dhe qarkullim vjetor të njohur, që tejkalon 1,3 miliard $. Mbi 60% e çmimit fundor të shitjes së karburanteve në tregun me pakicë e përbëjnë taksat dhe tatimet”, thoshte Konfindustria në deklaratën e saj.
Çmimi i karburanteve në vendin tonë është kaq i kripur pasi aktualisht në Shqipëri mbi 110 lekë ose 60 përqind e çmimit final të naftës dhe benzinës përbëhet nga taksat. Në çdo litër naftë që shitet në treg, qeveria shqiptare mbledh 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni dhe 7 deri në 10 lekë taksë riliçensimi.

Dyqanet “Duty Free”janë mbyllur në Shqipëri në vitin 2003 kur në krye të qeverisë qëndronte Fatos Nano me argumentin e presionit të fortë të Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilat i quanin ato si gropa të zeza në sistemin tatimor. Ndër to, dyqani i vetëm që u lejua të operonte ishte ai në Aeroportin e Rinasit, për të stimuluar turizmin, por edhe vetë aeroportin i cili në atë kohë ndodhej në gjendje të mjerueshme.

Dyqan që është bërë kohët e fundit mollë sherri mes Qeverisë, gjyqësorit dhe Ambasadës Amerikane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë