Ari u rrit në një nivel rekord dhe bursat ranë, në hapjen e kësaj të hëne, pasi përpjekjet e Donald Trump për të marrë Groenlandën kërcënuan të ringjallnin një luftë tregtare me Europën dhe i shtynë marrëdhëniet transatlantike përballë krizës më të rëndë të viteve të fundit.
Tensionet rreth Groenlandës shpërthyen gjatë fundjavës, pasi presidenti amerikan deklaroi se do të vendoste tarifa ndaj tetë vendeve europiane, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke filluar nga muaji i ardhshëm, nëse ato nuk mbështesin ambiciet e tij për të marrë kontrollin e ishullit Arktik.
Në përgjigje, kryeqytetet e BE-së po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së tarifave ndaj SHBA-së në vlerën 93 miliardë euro ose kufizimin e aksesit të kompanive amerikane në tregun e bllokut.
Ari u rrit deri në 2.1%, duke arritur në 4,690 dollarë për onz, ndërsa argjendi u rrit me 4.4%, pasi investitorët kërkuan asete të sigurta. Tregjet europiane të aksioneve u hapën në rënie. Indeksi Stoxx Europe 600 hapi tregtimin me rënie 1.5%, përpara se të rikuperonte pjesërisht dhe të tregtohej me 0.9% më poshtë.
Kontratat futures në SHBA, që ndjekin indeksin S&P 500 dhe Nasdaq 100, ranë përkatësisht me 0.9 % dhe 1.2 %. Tregjet amerikane spot janë të mbyllura të hënën për shkak të Ditës së Martin Luther King Jr.
“Vendosja e tarifave përfaqëson një përshkallëzim të retorikës së Trump për Grenlandën dhe tregon se ai është serioz në përshkallëzimin e situatës për ta marrë atë,” tha Mohit Kumar nga Jefferies.
Trump ka përdorur javët e fundit një gjuhë gjithnjë e më agresive ndaj Grenlandës, të cilën presidenti amerikan e konsideron jetike për sigurinë e SHBA-së dhe të lakmuar nga Rusia dhe Kina.
Grenlanda është një territor gjysmë-autonom i Danimarkës, e cila administron disa fusha politike, por nuk mban përgjegjësi për politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Nga ana tjetër, edhe dollari ra, pasi tregtarët nisën të shqetësohen se përkeqësimi i marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Europës mund t’i shtyjë investitorët globalë të reduktojnë më tej ekspozimin ndaj aseteve amerikane ose të mbrojnë pozicionet e tyre përmes hedging-ut.
“Pikëpamja se mund të ketë një rikthim të strategjisë ‘Sell America’ ka sjellë një dobësim të ri,” tha Derek Halpenny nga MUFG.
Franga zvicerane, një monedhë strehë e sigurt e preferuar, ka përfituar nga kjo situatë, duke e ulur dollarin me 0.4% në pak nën 0.8 franga zvicerane. Ndërkohë, lëvizjet në euro dhe paund kanë qenë më të kufizuara.
“Duke parë tregjet e këmbimit valutor gjatë vitit të fundit apo më shumë, njerëzit i kanë parë këto ngjarje të vijnë e të shkojnë,” tha Geoffery Yu, strateg i lartë në BNY. “Në këtë fazë, ata nuk po reagojnë shumë fort.”/FinancialTimes
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



