Nga Gazeta ‘Si’- Ari prej kohësh ka pasur reputacionin si një “strehë e sigurt” financiare në periudha të trazuara.
Por gjatë muajve të fundit, mes kaosit gjeopolitik dhe panikut në tregje, ai është sjellë më shumë si një “roller coaster” sesa si një aset i qëndrueshëm.
Në fund të janarit, çmimi i arit arriti një rekord historik pranë 5.600 dollarë për ons – pothuajse dyfishi i një viti më parë. Që nga ajo kohë, ai ka humbur rreth 20%, duke rënë ndjeshëm pikërisht në momentin kur shpërthyen konfliktet në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, nëse shihet në perspektivë, ari mbetet në nivele shumë të larta historike, me një rritje gati 300% gjatë dekadës së fundit. Një pjesë e madhe e kësaj rritjeje lidhet me atë që quhet “financiarizim” – pra shtimi i mënyrave për të investuar në ar përmes instrumenteve financiare si derivativët dhe fondet që ndjekin çmimin e tij, duke rritur spekulimin nga investitorët institucionalë dhe ata individualë.
Luhatjet e forta të këtij viti, megjithatë, sfidojnë idenë se ari është gjithmonë një strehë e sigurt.
Sipas Mark Haefele nga UBS Global Wealth Management, ari shërben më shumë si mbrojtje ndaj pasojave të gjera të konflikteve sesa ndaj rreziqeve të drejtpërdrejta të luftës. Ai thekson se sjellja e fundit e arit ndjek një model të njohur historik, si gjatë pushtimit të Ukrainë nga Rusi në 2022: një rritje fillestare e ndjekur nga një tërheqje, ndërsa investitorët kërkojnë likuiditet dhe alternativa si energjia.
Nga shoku gjeopolitik te ai i inflacionit
Sipas Daniel Marburger nga StoneX Bullion, tregu po përjeton një “paradoks të shokut të naftës”: rritja e çmimeve të energjisë shton inflacionin, por njëkohësisht forcon dollarin amerikan dhe rrit normat e interesit-dy faktorë që ushtrojnë presion mbi arin.
Fillimisht, rritja e çmimit ishte një reagim i natyrshëm ndaj tensioneve gjeopolitike. Por më pas, investitorët filluan ta shohin situatën si një kërcënim inflacioni, çka ndryshoi pritshmëritë për politikat monetare. Kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në vendimmarrjen e Federal Reserve.
Pse dollari i fortë dëmton arin
Në të njëjtën kohë, dollari amerikan është forcuar, duke qenë një tjetër aset i sigurt global. Sipas Matt Bance nga T. Rowe Price, pritshmëritë për politika më të ashpra monetare kanë rritur normat reale të interesit dhe kanë mbështetur dollarin-dy zhvillime negative për arin, i cili nuk gjeneron të ardhura.
Presionet e tregut dhe fitimet e investitorëve
Një tjetër faktor është dinamika e tregut. Ari hyri në këtë krizë pas një viti shumë të fortë në 2025, me një rritje prej rreth 65%. Kjo bëri që shumë investitorë të shfrytëzojnë paqëndrueshmërinë për të realizuar fitime dhe për të reduktuar ekspozimin.
Siç shpjegon Marburger, në momente stresi financiar, ari shpesh shitet jo sepse është investim i keq, por sepse është likuid dhe investitorët kanë nevojë për para të shpejta.
Çfarë pritet më tej?
Pavarësisht luhatjeve, ekspertët mbeten pozitivë për perspektivën afatgjatë të arit. Faktorë si kërkesa e bankave qendrore, pasiguria politike dhe fragmentimi gjeopolitik vazhdojnë ta mbështesin atë.
Institucione të mëdha financiare si UBS, Deutsche Bank dhe Société Générale parashikojnë që çmimi i arit mund të arrijë rreth 6.000–6.200 dollarë për ons në vitin 2026.
Megjithatë, në afat të shkurtër pritet volatilitet i lartë, i ndikuar nga katër faktorë kryesorë: normat reale të interesit, forca e dollarit, zhvillimet gjeopolitike dhe flukset e investimeve.
Çfarë duhet të bëjnë investitorët?
Ekspertët këshillojnë që ari të shihet si një investim strategjik dhe jo si një lëvizje afatshkurtër. Rekomandohet që 10–15% e portofolit të jetë në metale të çmuara, veçanërisht për ata që shqetësohen për inflacionin, dobësimin e valutave apo krizat ekonomike.
Në fund, rënia e arit nuk do të thotë se rreziku gjeopolitik është ulur, por se tregjet po reagojnë ndaj një kombinimi më kompleks faktorësh- nga inflacioni dhe normat e interesit, te forca e dollarit dhe sjellja e investitorëve./ The Conversation/ Morningstar
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje