Ari kapërceu nivelin 5.200 dollarë për herë të parë të mërkurën dhe iu afrua nivelit 5.300 dollarë, ndërsa dollari amerikan ra në nivelin më të ulët të gati katër viteve, mes shqetësimeve të vazhdueshme gjeopolitike dhe përpara vendimit të Rezervës Federale të SHBA-së për politikën monetare.
Që nga fillimi i vitit, çmimi i arit është rritur me më shumë se 20%. Ari në kontratat e së ardhmes në SHBA për dorëzim në shkurt u rrit me 3.8%, duke arritur në 5.274 dollarë për onz.
“Rritja e arit vjen si pasojë e korrelacionit shumë të fortë indirekt me dollarin dhe … komentit të Trump ndaj një pyetjeje të rastësishme për dollarin, i cili nënkuptonte se ekziston një konsensus i gjerë brenda Shtëpisë së Bardhë për të pasur një dollar më të dobët në të ardhmen,” tha Kelvin Wong, analist i lartë i tregjeve në OANDA.
Dollari amerikan po përballej me një “krizë besimi”, ndërsa qëndronte pranë niveleve më të ulëta të katër viteve, duke nxitur shitje të mëtejshme të dollarit, pasi presidenti Donald Trump tha se vlera e monedhës është “e shkëlqyer”, kur u pyet nëse mendonte se ajo kishte rënë tepër.
Ndërkohë, besimi i konsumatorëve në SHBA ra në nivelin më të ulët në më shumë se 11 vjet e gjysmë në janar, për shkak të ankthit në rritje mbi një treg pune të dobët dhe çmime të larta.
Trump shtoi se së shpejti do të njoftojë kandidatin e tij për postin e kreut të Rezervës Federale dhe parashikoi se normat e interesit do të bien sapo kryetari i ri të marrë detyrën.
“Duke pasur parasysh tensionin mes mandateve të Fed-it dhe Shtëpisë së Bardhë, mendoj se tregjet thjesht po bëhen më mbrojtëse përpara komenteve të kryetarit të Fed-it, Jerome Powell, më vonë sot,” tha Ilya Spivak, drejtues i makroekonomisë globale në Tastylive.
Rezerva Federale pritet gjerësisht të mbajë normat e interesit të pandryshuara në mbledhjen e saj të janarit për politikën monetare, e cila është aktualisht në zhvillim.
Wong shtoi se rezistenca afatshkurtër për arin mund të shihet rreth nivelit 5,240 dollarë për ons. Deutsche Bank tha të martën se ari mund të ngjitet në 6,000 dollarë për ons në vitin 2026, duke përmendur kërkesën e vazhdueshme për investime, teksa bankat qendrore dhe investitorët rrisin alokimet drejt aseteve jo-dollar dhe atyre fizike.
Argjendi u rrit me 0.9% në 114.01 dollarë për onz, pasi të hënën arriti një rekord prej 117.69 dollarësh. Metali i bardhë është rritur pothuajse 60% deri tani këtë vit.
Platini u rrit me 1.7% në 2.686 dollarë për onz, pasi të hënën arriti një rekord prej 2.918 dollarësh, ndërsa paladiumi u rrit me 1.3% në 1.959 dollarë./Reuters
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



