Treg

Ari arrin vlerë rekord, ndërsa dollari dhe bursat bien

Ari ka prekur një çmim rekord këtë të martë, pas sulmeve që Donald Trump i ka bërë dejtuesit të bankës qendrore amerikane, Jay Powell.

Ari po tregtohet me 3.5 mijë dollarë për onz, me rritje 2.2%. Ndërkohë dollari është zhvlerësuar me 0.2%. Ari, tek i cili disa investitorë mbështeten si një mbrojtje kundër inflacionit, ka qenë një nga fituesit më të mëdhenj nga kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë. Është rritur me 33% këtë vit.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump e etiketoi Powell si “Zoti Vonesa” dhe urdhëroi bankën të ulë menjëherë normën e interesit. Kjo vjen pasi, Poëell, drejtuesi i bankës Federale, kritikoi Trump për tarifat e vendosura duke thënë se do të nxisin inflacionin dhe do të ngadalësonin rritjen ekonomike.

Tensioni midis qeverisë dhe bankës është një betejë e re për investitorët që po përballen edhe me pasojat e tjera të politikave agresive të Trump.

Deklarata e Trump rrezoi me 2.4% aksionet e S&P 500 dhe me 2.6% Nasdaq. Indeksi europian Stoxx 600 ra me 0.3%.

Në tregjet e obligacioneve, yield-et e thesarit u rritën. Yield-i 10-vjeçar u rrit me 0.02 pikë përqindje në 4.4%, ndërsa yield-i 30-vjeçar u rrit me 0.02 pikë përqindje në 4.93%.

Presidenti e ka kritikuar shpesh Powellin për mos uljen e normave të interesit me shpejtësi të mjaftueshme, ndërsa kryetari i Fed ka thënë se ai kurrë nuk do të ndikohej nga presioni politik.

Investitorët dhe ekonomistët thanë se një përpjekje e Trump për të hequr Powell para përfundimit të mandatit të tij në maj 2026, do të rrezikonte të shkaktonte dëme në ekonominë amerikane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë