Gazeta Si – Argita dhe Jamarbër Malltezi, vajza dhe dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, kanë depozituar pranë GJKKO-së një kërkesë për lirimin e 25 pasurive të sekuestruara nga SPAK prej dy vitesh në kuadër të hetimeve për aferën e klubit sportiv “Partizani”.
Në mars, Gjykata Kushtetuese refuzoi ankimimin e tyre për kthimin e këtyre pasurive, duke mos lejuar që çështja të kalojë në seancë plenare.
Kështu, janë pezulluar 16 pasuri të paluajtshme, gjashtë llogari bankare dhe aksionet në kompaninë “Home Plan”.
Vendimet e mëparshme të Gjykatës së Lartë dhe Apelit të GJKKO-së nuk kanë ndryshuar statusin e pronave.
Në vitin 2023, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi sekuestron preventive për 25 pasuri në emër të Malltezëve, përfshirë apartamente, vila dhe tri kompani, ku Jamarbër Malltezi zotëron aksione të rëndësishme. Kërkesa e fundit pritet të shqyrtohet nga trupa e themelit.
Sipas dosjes së SPAK, Malltezi, nëpërmjet investimit te kompania “Homeplan shpk”, që ka kryer ndërtimet tek ish-kompleksi sportiv “Partizani”, ka përfituar 5.4 mln euro, që sipas Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, janë para të jashtëligjshme, pasi nuk ka qenë investitor duke fshehur kështu origjinën e parave. Ai ka shfrytëzuar ndërtuesin Fatmir Bektashi, për t’i pastruar këto para.
Nga sekuestrimet e pasqyrave financiare të shoqërisë, ka rezultuar se Jamarbër Malltezi nuk ka kryer asnjë investim, prandaj në mënyrë të ligjshme nuk mund të ketë përfituar asnjë të ardhur nga kjo shoqëri, pavarësisht se në dorë të SPAK janë fatura për pagesa kesh dhe dividend që shkojnë në emër të tij.
SPAK argumenton se shoqëria “Homeplan shpk” është krijuar vetëm për të qarkulluar para. Vlera e privatizimit është paguar nga kompania e Bektashit, ndërkohë që roli i Jamarbër Malltezit, ka qenë ndikimi tek institucionet për të privatizuar pronën e më pas për të marrë leje ndërtimi. Për këtë ai dyshohet se familjet përfituese e kanë shpërblyer me 3 -5% të pasurive të tyre të paluajtshme.
Ndërkohë, për privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” po hetohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



