Revista muzikore amerikane “Rolling Stone” ka publikuar listën e 200 këngëtarëve më të mirë në botë, ndërkohë që bën përshtypje që Celine Dion nuk përfshihet, sipas DW.
Këngëtarja amerikane e muzikës soul Aretha Franklin, e cila vdiq në vitin 2018, kryeson listën aktuale të këngëtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave nga revista muzikore “Rolling Stone”. Ajo zë vendin e parë nga gjithsej 200 vende në renditje.
Në fillim të vitit të ri, gazeta publikoi një listë të përditësuar të “200 këngëtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave”.
Një listë e tillë u publikua për herë të fundit në vitin 2008 – me 100 këngëtarët më të mëdhenj të revistës të të gjitha kohërave, ku 99 prej të listuarve vinin nga vendet anglishtfolëse.
Vendi i dytë dhe i tretë në listën e përditësuar janë ylli i R&B Whitney Houston dhe pionieri i soul-it, Sam Cooke, i cili këndoi “A Change is Gonna Come”, një nga këngët më të rëndësishme të lëvizjes për të drejtat civile në SHBA.
Autorët shkruajnë se ”kjo është lista e këngëtarëve më të mëdhenj, jo lista e zërave më të mëdhenj”.
Lista ngjall polemika në rrjetet sociale.
Ishte befasuese që pesë herë fituesja e Grammy-t, Celine Dion, as nuk hyri në top 200.
“Me gjithë respektin e duhur, duke mos përfshirë Celine Dion, padyshim teknikja më e madhe e vokalit e të gjitha kohërave, kjo listë është e barabartë me tradhtinë”, shkroi në Twitter producenti i muzikës Jamie Lambert.
Gazeta britanike ”Daily Mail” tha se ”nuk ka surpriza të mëdha në dhjetëshen e listës së Rolling Stone, përveç faktit që Dioni u anashkalua”. (ATA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.