Nga Gazeta ‘Si’-Kandidati nga “Fronti për Ndryshim” Arbër Pajaziti ka shpallur fitoren në Bujanoc nga zgjedhjet lokale që janë mbajtur atje.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Pajaziti ka falënderuar qytetarët e Bujanocit për besimin e dhënë.
Ai po ashtu theksoi se kjo fitore i obligon që të krijojnë një shumicë të re qeverisëse në Bujanoc.
“Falënderime plot 3,371 herë për të gjithë ju që votuat ‘Frontin për Ndryshim’, që besuat në këtë rrugë e cila shpie drejt një të ardhme më të mirë. Faleminderit për 10.800 shqiptarë të komunës së Bujanocit që votuan për njërën nga 4 listat tona si motra në këto zgjedhje. Faleminderit ju që përshkuat me mijëra kilometra nga vende të ndryshme të Evropës për të dhënë votën në atdheun tuaj. Bashkëvendës që punoni përkohësisht në Kosovë, faleminderit për mundin e treguar”, shkroi Pajaziti në Facebook.
Ndërkaq, edhe Ardita Sinani nga PVD-ja ka shpallur fitoren në Preshevë. Partia e saj mori 4080 vota, ose 11 këshilltarë në Kuvendin Komunal.
Si e dyta ka dalë Partia Demokratike Shqiptare, me 3093 vota e kandidatit Ragmi Mustafa, ose 8 këshilltarë.
Alternativa për Ndryshim e ish-kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifi, ka marrë vetëm 2856 vota, ose 8 këshilltarë, një rënie prej mbi 3 mijë votash në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
Lëvizja për Reforma ka marrë 2140 vota, ose 6 këshilltarë, ndërsa Aleanca për Luginën mori vetëm 1154 vota, ose 3 këshilltarë.
Unioni Demokratik Shqiptar do të ketë një ulëse në Kuvendin Komunal të Preshevës, pasi mori vetëm 566 vota.
Ndërsa partitë serbe, të cilët garuan në një listë të përbashkët, në bazë të rezultateve preliminare do të kenë vetëm një ulëse.
Në Preshevë në garë kanë qenë 6 subjekte shqiptare dhe 1 të pakicës serbe. Në Bujanoc ndërkaq kanë garuar 4 subjekte të shqiptarëve, 4 të serbëve dhe 1 subjekt që udhëhiqet nga minoriteti rom.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.