Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka dhënë dorëheqjen nga detyra. Në letrën e dorëheqjes drejtuar kryeministrit Edi Rama, Veliu ka shpjeguar edhe arsye e këtij vendimi, ku shkruan se është përpjekur për të dhënë më të mirën e tij dhe se ka vendosur që të mos kandidojë për një mandat tjetër.
Sipas tij, ai do t’i përkushtohet më shumë familjes dhe fëmijëve të tij që janë në një moshë delikate. Veliu shton se kjo ka qenë përvoja më e vyer e jetës së tij dhe falënderon Ramën për besimin e dhënë nga kryeministri.
Lajmin e ka konfirmuar vetë kryeministri Rama, i cili shkruan se ka një konsideratë të lartë për Veliun, duke e falënderuar këtë të fundit.
“Me konsideratën më të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e posaçëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe me bindjen se ai ka akoma shumë për t’i dhënë shtetit në detyra të tjera, e falenderoj nga zemra për kontributin e vyer“, shkruan Rama në Twitter
Me konsideratën më të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e posaçëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe me bindjen se ai ka akoma shumë për t’i dhënë shtetit në detyra të tjera, e falenderoj nga zemra për kontributin e vyer. pic.twitter.com/C7dCbHvulC
— Edi Rama (@ediramaal) October 5, 2021
Pas zërave jo zyrtare mbi largimin e tij gjatë ditës, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i pyetur direkt për këtë çështje nga deputeti demokrat Luan Baçi, në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, tha se “do ta merrni vesh në kohën e duhur”.
Veliu u emërua drejtori i Policisë së Shtetit me firmën e kryeministri Rama, i propozuar nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj me 5 shkurt 2018. Para kësaj detyre, ai ishte drejtor i Policisë së Tiranës.
Vendimi për largimin nga detyra, vjen pas një serie të pafundme akuzash në vitet e fundit nga opozita, para së gjithash për vrasjen e Klodian Rashës nga një efektiv policie, ku u kërkua dorëheqja e tij.
Akuzat u shtuan edhe javët e fundit, ku u shënuan disa ngjarje të rënda, nga ekzekutimi i nënkomisarit Saimir Hoxha në Lezhë, te vrasja e dyfishtë të martën në Elbasan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.