Futboll

Arbitri dhe VAR-i i mohuan penallti Juventusit, Rabiot tregon shenjat e takave

Gazeta Si – Një mbrëmje jo e mirë për arbitrat dhe VAR-in e ndeshjes mes Juventusit dhe Seviljes, që përfundoi 1-1. Kontrolluan golin e Gatit në shtesë, por jo goditjen e Bade ndaj Rabiot, që ishte një penallti neto.

Sa më shumë pamje shihen, aq më shumë evidentohet goditja me taka e lojtarit të Seviljes në pulpën e djathtë të mesfushorit juventin. Përveç faulleve dhe administrimit të kartonëve, Siebert lejoi goditjen e këndit për Juventusin përtej shtesës, që solli golin e barazimit.

Për episodin e penalltisë ka folur vetë Rabiot: “Faull i rëndë, ishte neto, por VAR-i nuk bëri asgjë. Arbitri nuk reagoi, VAR-i nuk e thirri, nuk e di pse, por për mua është faull neto. Duhet të përqendrohemi te ndeshja e së enjtes së ardhshme”, – tha francezi.

Adrien Rabiot tregoi gjatë intervistës pas ndeshjes në tv edhe shenjat që kishin lënë takat e Bade në këmbën e tij. “Luftuam deri në fund, jam i lumtur për Gatin dhe skuadrën, kemi shpresa për ndeshjen e kthimit. Duhet të kemi më shumë kujdes nga kundërsulmet e tyre. Mbajnë gjithmonë 2-3 lojtarë lart dhe shkojnë me shpejtësi drejt portës.”

Ndeshja e parë gjysmëfinale e Ligës së Europës mes Juventusit dhe Seviljes përfundoi në barazim, 1-1.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë