Gazeta Si – Interi la dy pikë në fushën e Moncës edhe për faj të arbitrimit. Një paraqitje katastrofike e arbitrit Saki, që tani pritet të qëndrojë pushim për një kohë të gjatë, sepse me siguri do të ndëshkohet.
Goli i shënuar nga Açerbi ishte i rregullt, ashtu si dhe prekja me dorë e Karlos Augusto ishte e ndëshkueshme. Gabime që kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin e ndeshjes, që u mbyll 2-2.

Açerbi shënoi me kokë pas krosit të Asllanit, por arbitri kishte vërshëllyer më parë për një faull, që nuk ekziston. Pablo Marì rrëzohet në tokë, jo nga dyluftimi trup më trup me Galiardinin, por i penguar nga këmba e shokut të skuadrës Ico. Gabim i dyfishtë: sepse nuk ka asnjë faull dhe sepse duke vërshëllyer para se të shënohej goli, nxjerr jashtë loje edhe VAR-in.
Nëse arbitri do të linte lojën të vazhdonte, goli do të vlerësohej i rregullt nga VAR-i dhe rezultati do të shkonte në 1-3. Një rezultat që Interi do ta kishte më të lehtë ta administronte në minutat e fundit. Vendimi i Sakit u ka kushtuar zikaltërve 2 pikë të humbura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




