Gazeta Si – Për të dytën ditë me radhë, Arbër Veliaj, vëllai i Erion Veliajt, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme.
Ndryshe nga të enjten, 21 gusht, ku qëndroi rreth 4 orë në SPAK, vizita e kësaj të premteje gjati vetëm gjysmë ore, ndërsa dorëzoi disa dokumente shtesë te agjentët e BKH-së.
Gazetarët i drejtuan pyetjen: “A u paraqitët edhe sot vullnetarisht?”, por Arbër Veliaj zgjodhi të mos përgjigjej, ndërsa një ditë më parë tha se kishte shkuar vullnetarisht për të sqaruar pozicionin e tij ne lidhje me hetimet, ku është pandehur kryebashkiaku i Tiranës dhe njëkohësisht vëllai i tij.
Sipas burimeve paraprake, mësohet se ai ka dorëzuar disa dokumente tek hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Sipas materialeve hetimore, emri i Arbër Veliaj përmendet në disa episode të dosjes së SPAK që lidhen me lëvizje financiare të dyshimta të vëllait dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxe, të cilat ngrejnë dyshime për përfshirje në pastrim parash.
Po ashtu, Arbër Veliaj është telefonuar nga kryebashkiaku gjatë kohës që ishte në paraburgim, përmes telefonit të një punonjësi të policisë së burgjeve, veprim që iu përkthye në akuzë të re Erion Veliajt.
Pak javë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi ankimimin e Arbër Veliajt, për kontrollet e kryera nga SPAK në dhjetor 2024, në banesat e tij apo biznese.
Ndërkohë, më 25 maj, Gjykata e Lartë pranoi rekursin e paraqitur nga Arbër Veliaj dhe vendosi që çështja të rikthehej për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, tek i njëjti trup gjykues.
Më 23 korrik, SPAK mori të pandehur kryebashkiakun Veliaj për “korrupsion”, “pastrim të parave”, “fshehje të pasurisë” dhe “futje të sendeve të ndaluara në burg”.
E pandehur u mor edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si edhe disa biznesmenë. SPAK ka afat deri më 29 shtator për ta përcjellë për gjykim dosjen ndaj tyre.
Ndërsa pak ditë më parë, kryebashkiaku i ka drejtuar GJKKO-së kërkesën për shpalljen e pavlefshmërisë së hetimeve të kryera nga SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


