Studentët e Fakultetit të Mjekësisë do ta mbyllin këtë vit akademik online, ndërkohë rektori Arben Gjata në një intervistë për mediat ka thënë se pavarësisht sugjerimeve që i ka drejtuar Komitetit Teknik, asgjë nuk është marrë parasysh.
“Do të presim vendimet që do të marrë Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe kam përshtypjen se edhe ky vit do të mbyllet online. Në janar propozuam që studentët të bënin praktika në spitale rajonale, por vendimin nuk e merr universiteti e merr Komiteti dhe e ata e cilësuan të rrezikshme”, ka thënë Gjata.
Ende nuk dihet se si do të vijojë rrjella epidemiologjike dhe rrjellimisht as se si do të nis viti i ri akademik në tetor.
Më tej Gjata është shprehur se rektorati i ka kërkuar Komitetit Teknik, 5000 doza vaksinash të Covid-19 për studentët e mjekësisë, pasi bëjnë pjesë tek grupet në nivel të lartë rrisku.
“Si senat akademik kemi kërkuar të futen në planet e vaksinimit edhe studentët, sepse tashmë pedagogët i kemi të vaksinuar. Të shpresojmë që gjatë kësaj vere të realizohet në mënyrë që vitin tjetër ta nisim të plotë në mënyrë të rregullt në auditore”, tha ai.
Sipas Gjatës vaksina mbetet e vetmja alternativë që studentët kanë për t’u rikthyer në auditore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.