Gazeta Si – Gjykata e Posaçme çeli këtë të mërkurë procesin gjyqësor në mungesë ndaj ish-zv.kryeministrit, Arben Ahemtaj, i pandehur për “shpërdorim të detyrës” në dosjen “Buka sha”.
Ahmetaj mund të dëshmojë me audio ose videokonferencë në lidhje me akuzën për shpërdorim detyre për privatizimin e ish-fabrikës së Bukës.
Në seancën e kësaj të mërkure, prokurori i çështjes, Elvin Gogaj, paraqiti kërkesat për provat shkresore dhe ato me dëshmitarë.
Prokurorët e SPAK lexuan kërkesën për gjykim dhe listën e dëshmitarëve të kërkuar për të provuar akuzën I pari dëshmitar i kërkuar nga SPAK, është Lirim Fejzollari. Seanca e radhës do të zhvillohet më 24 shkurt, ora 14:00.
Sipas SPAK, Ahmetaj ka firmosur një urdhër për privatizimin e shoqërisë, edhe pse kishte vendime gjykate që e ndalonin këtë veprim.
Në këtë çështje Ahmetaj akuzohet për shkelje të ligjit teksa mbante detyrën e Ministrit të Financave, gjatë procedurës së privatizimit të ish-ndërmarrjes shtetërore “Buka sha”.
Ish-zëvendëskryeministri u kallëzua në SPAK nga biznesmeni që kishte në pronësi pikërisht shoqërinë “Buka” sh.a.
Ahmetaj akuzohet për “shpërdorim detyre” lidhur me privatizimin e “Buka”, veprim që dyshohet se i ka shkaktuar buxhetit të shtetit rreth 7 miliardë lekë.
Përpos akuzës lidhur me dosjen “Buka”, Ahmetaj është duke u hetuar edhe për tre vepra penale të tjera penale, si “pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”, në lidhje me dosjen e inceneratorëve.
Prej vitit 2023, ai është në arrati pasi ndodhet në Zvicër, ndërsa ka pohuar se të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij janë politike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



