Teknologji dhe Inovacion

Apple përfshin ChatGPT në pajisjet iPhone, do bëjë gjithë ‘punën’ e përdoruesve

Gjiganti i teknologjisë, Apple, do ta përditësojë aplikacionin e tij zanor, Siri dhe sistemet e tjera operative me softuerin e inteligjencës artificiale, ChatGPT.

Përditësimet do t’u mundësojnë përdoruesve të pajisjeve iPhone dhe Mac të kenë qasje në ChatGPT edhe për qëllime të tjera, jashtë pyetje-përgjigje që ka qenë deri më tani.

Versioni testues do të jetë i disponueshëm në vjeshtë.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Apple, Tim Cook, tha se këto risi do t’i çojnë produktet e kompanisë së tij “në lartësi të reja”.

Apple ka qenë nën presion për të përfshirë veçori të reja të inteligjencës artificiale në produktet e tij, pas rritjes së shpejtë që kanë pësuar rivalët e kompanisë që e kanë miratuar këtë teknologji.

Cook u ka thënë investitorëve që në vitin 2023 se kompania e tij do t’i qaset me kujdes kësaj teknologjie.

Kjo nismë është pjesë e një sistemi të ri të personalizuar të AI, të quajtur "Apple Intelligence" që synon t'u ofrojë përdoruesve një mënyrë për të naviguar më lehtë pajisjet Apple.

Partneriteti nuk u mirëprit nga Elon Musk, pronari i Tesla dhe Twitter/X, i cili ka kërcënuar se do të ndalojë iPhone nga kompanitë e tij për shkak të "sigurisë së të dhënave".

"Apple nuk e ka idenë se çfarë po ndodh në të vërtetë pasi t'i dorëzojë të dhënat tuaja tek OpenAI," tha Musk në X. "Ata po ju shesin."

"Apple Intelligence" nuk është një produkt dhe as një aplikacion më vete.

Ai do të bëhet pjesë e çdo aplikacioni dhe produkti të Apple që përdorin klientët, si për shembull, një asistent shkrimi që përpunon mesazhet ose mund t’ju tregojë rrugën më të shkurtër për të shkuar diku.

Çfarë do të thotë marrëveshja OpenAI dhe Apple?

Vendimi i Apple për të integruar teknologjinë ChatGPT të OpenAI ishte parashikuar por është një lëvizje e pazakontë për një kompani që lobon për privatësinë e klientëve.

Për vite të tëra, Apple refuzoi të lejonte klientët e saj të shkarkonin ndonjë aplikacion jashtë App Store me arsyetimin se ato mund të mos ishin të sigurta dhe nuk do të lejonte asnjë shfletues uebi përveç Safari-t të tij për të njëjtën arsye dhe ndryshoi vetëm kur u detyrua nga legjislacioni i BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë