Motosport

Apple, ofertë 2 miliardë dollarë për të blerë të drejtat televizive të Formulës 1

Gazeta Si – Sipas ‘Business F1’, kompania e fuqishme është e interesuar për të blerë të drejtat televizive të sportit të makinave, fillimisht edhe të pjesshme, duke nisur nga sezoni 2025.

Ta transformojë Formulën 1 në majën e diamantit të ofertës së platformës streaming Apple TV+. Ky është, sipas ‘Business F1’, qëllimi i kolosit të elektronikës që prodhon iPhone dhe iPad, Apple. Dhe për të pasur potencialin e jashtëzakonshëm të garave, kompania në fjalë është gati të ofrojë 2 miliardë dollarë në vit.

Apple, për ata që ndoshta nuk e dinë, është prej disa vitesh kompania me vlerën më të madhe të tregut në botë. Aktualisht vlen 2.67 trilionë dollarë. Për këtë arsye nuk është çudi oferta ‘monstër’ e kompanisë së drejtuar nga Tim Cook, edhe pse 2 miliardë dollarë në vit për F.1 janë një mal me para.

Formula 1 Group (F1G), kompania e drejtuar nga Stefano Domenikali, e themeluar në 1981-shin nga Berni Ekleston për të administruar kampionatin dhe mbi të gjitha të ardhurat pubicitare të F.1, gjithmonë sipas ‘Business F1’, për momentin përfiton rreth gjysmën e shumës që afron Apple për të drejtat tv.

Të ardhurat e F1G për të drejtën televizive, nëse akordi do të finalizohet, do të dyfishohen. Dhe do të jenë dyfish për disa vjet, duke parë strukturën e kontratës që ka në plan Apple, që kërkon të drejtat e gjithë botës, edhe aty ku për momentin janë blerë nga dikush tjetër.

Nëse lajmi që bëhet I ditur nga revista britanike del i vërtetë, Apple është gati të blejë të drejtën tv të Formula 1 në nivel global. Për momentin në vende të ndryshme të drejtat u përkasin platformave të ndryshme. Në Itali, për shembull, i ka ‘Sky’, në SHBA i ka ‘ESPN’. Ideja e Apple është që të futet në platformat aktuale gradualisht deri sa kontratat respektive të përfundojnë.

Do të niste kështu me një përqindje të ulët ekskluziviteti, së cilës do t’i korrespondonte një vlerë ekonomike proporcionale. Për të shkuar më pas në 100%, në 5 vjet në 2028-ën, kur përfundon kontrata e ‘Sky’ në gjithë Europën. Gjithçka për 7 vite, deri në 2030-ën, me një çmim maksimal (2 miliardë në vit) të fiksuar që tani. ‘Business F1’ ka kërkuar një koment nga Ian Holmes, drejtor i F1G që lidh kontratat tv me platformat e nivelit global, por ai ka preferuar të mos përgjigjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë