Agjencia e Prokurimit Publik kërkoi nga institucionet shtetërore pezullimin e të gjitha procedurave të tenderave që nuk lidhen me luftën kundër koronavirusit.
“Autoritetet kontraktore të pezullojnë gjitha procedurat e prokurimit, përfshirë këtu edhe procedurat e prokurimit me vlerë të vogël, për objekte prokurimi të cilat nuk lidhen ngushtësisht me këtë situatë, deri në një njoftim të dytë”, thotë APP në një njoftim të publikuar këtë të mërkurë.
APP kërkon nga institucionet që të vijojnë procedurat e prokurimit vetëm për tendera me objekt që lidhet ngushtësisht me mbulimin e nevojave të dala në kuadër të situatës së shkaktuar nga pandemia Covid-19 dhe që konsiderohen të domosdoshme.
Gjithashtu APP kërkon që të pezullohen edhe ato procedura prokurimi që janë në proces, objektet e të cilave nuk lidhen me situatën e shkaktuar nga pandemia, deri në një njoftim të dytë.
Anulimi i të gjithë tenderave që nuk lidhen me koronavirusin është një kërkesë e përsëritur vazhdimisht këto ditë nga ana e Partisë Demokratike, kreu i së cilës, Lulzim Basha mirëpriti njoftimin e APP-së dhe ftoi Qeverinë që ta shndërrojë në një vendim sa më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.