Nga Gazeta ‘SI’ – Agjencia e Prokurimit Publik ka kërkuar ndryshim të ligjit të prokurimeve publike. Në raportin vjetor të APP-së, përmendet kufiri monetar i kontratave koncesionare, si kufi që duhet rishikuar dhe përafruar më shumë me BE-në.
“Sa i takon fushës së prokurimit publik, me anë të miratimit të Ligjit të ri për prokurimin publik në vitin 2020, të rregullave për prokurimin publik në maj të 2021, DST-ve, udhëzimeve, VKM për format e komunikimit, VKM për kodet CPV është arritur një përafrim i konsiderueshëm i Direktivës 2014/24/ BE dhe Direktivës 2014/25/BE. Megjithatë, nevojitet përafrim i mëtejshëm i direktivave, veçanërisht sa i takon kufijve monetarë”, -shkruhet në raport.
Gjatë vitit 2022, raporti i fondit total limit të koncesioneve ndaj PBB-së ka pësuar rritje të lehtë në krahasim me atë të vitit 2021 8.9% dhe rezulton 9.4%.
Numri total i njoftimeve të fituesit të procedurave të prokurimit të publikuara në vitin 2022 në sistemin e prokurimit elektronik, sipas tipit të kontratave, shërbim, mall, punë, numri arriti 4.507 (429 më shumë se në vitin 2021).
Nga të dhënat e tabelës rezulton se numri më i lartë i procedurave të përfunduara me fitues është për kontratat e mallrave me 2.385 fitues ose 53% të totalit të fituesve, më tej “Shërbime”, me 1.228 fitues ose 27.2% të totalit të fituesve, si dhe “Punë publike”, me 894 fitues ose 19.8 % të totalit të fituesve.
Koncesionet dhe PPP-të kanë qenë shpeshherë të kritikuara dhe nga raportet ndërkombëtare, si fusha ku duhet më shumë monitorim dhe ndërhyrje e shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.