Para një viti, presidenti me pro-kripto në historinë e SHBA-së, sapo u rikthye në pushtet. Ardhja e dytë e Donald Trump u pa si një agim i ri për kriptomonedhat, me shumë evangjelistë që parashikonin se Bitcoin do bëhej “ari digjital” dhe se do vlerësohej 200 mijë dollarë në fund të vitit.
Siç premtoi, Trump, bëri shumë për kriptot dhe rregullimin e tyre. Ai nënshkroi dhe aktin që rregullonte stablecoins (GENIUS), kriptomonedhat e mbështetura në valutë, loboi për miratimin e aktit të tregtimit të kriptove në një mjedis ligjor të rregulluar (CLARITY), përfitoi personalisht nga marrëveshjet e kriptove dhe reklamoi një kriptomonedhë-meme të vetes së tij.
Kriptot duhet të përfitonin nga risqet makro dhe gjeopolitike, si rritja e borxheve apo deficiteve, zhvlerësimit të dollarit, lufta tregtare dhe tensioni në rritje midis SHBA-së, Kinës, Iranit etj. Por këto ndihmuan arin të rritej jo kriptot.
Ari digjital ra me 6% gjatë 2025-s dhe deri ëm tani ka rënë 35% nga piku i tetorit, kur Trump u zgjodh president.
Sa herë që ari ka pësuar rritje të fortë si reagim ndaj trazirave tregtare ose gjeopolitike gjatë vitit të kaluar, Bitcoin ka rënë ndjeshëm. Ai është larg të qenit një mburojë; përkundrazi, është një mënyrë për të shfrytëzuar rrezikun, duke treguar një korrelacion të fortë me asete të tjera me rrezik, si aksionet spekulative.
Të quash Bitcoin ose çdo mjet tjetër kripto si “monedhë” ka qenë gjithmonë e kotë. Ai nuk është as njësi llogarie, as mjet i shkallëzueshëm pagese, as ruajtës i qëndrueshëm l i vlerës. Edhe pse El Salvador e bëri Bitcoin ligjërisht monedhë, ai përbën më pak se 5% të transaksioneve për mallra dhe shërbime. Kripto nuk është as një aset, pasi nuk ka rrjedhë të të ardhurave, funksion apo përdorim industrial ose në botën reale (ndryshe nga ari dhe argjendi).
17 vjet pas lançimit të Bitcoin, i vetmi opsion më i pranueshëm në kripto është stablecoin: një version digjital i parave tradicionale, të cilat industria financiare dhe bankare i ka digjitalizuar dekada më parë. Por mbetet për t’u parë, nëse paratë digjitale dhe shërbimet financiare duhet të jenë mbi blockchain apo në platforma tradicionale. Por 95% e parave dhe shërbimeve digjitale të quajtura “blockchain” janë blockchain vetëm në emër. Ato janë private, jo publike; qendrore, jo të decentralizuara; me leje, jo pa leje; dhe të verifikuara nga një grup i vogël autentifikuesish të besuar (si në financat dhe bankat digjitale tradicionale) dhe jo nga agjentë të decentralizuar në juridiksione pa sundim ligji.
Financa e vërtetë e decentralizuar kurrë nuk do të arrijë në shkallë të madhe. Asnjë qeveri serioze, madje as administrata Trump nuk do të lejojë anonimitet të plotë të transaksioneve monetare dhe financiare, sepse kjo do të ishte një avantazh për kriminelë, terroristë, shtete të pakonsoliduara, aktorë jo-shtetërorë, trafikantë njerëzish, hajdutë dhe shmangës të taksave.
Për më tepër, portofolet digjitale dhe bursat e rregulluara duhet të ndjekin rregullat standarde kundër pastrimit të parave dhe “njofto klientin tënd” (AML/KYC). Kjo do të thotë se nuk është e qartë nëse transaksionet në blockchain-e private dhe me leje janë më të lira se në sistemet tradicionale, sidomos tani që sistemet bankare klasike ofrojnë pagesa në kohë reale dhe mjete më të shpejta për qartësim. Pra, e ardhmja e parasë dhe e pagesave nuk pritet të jetë një revolucion dramatik siç premtonin adhuruesit e kriptove, por një evolucion gradual i sistemit financiar. Rënia e fundit e Bitcoin dhe kriptomonedhave të tjera tregon edhe njëherë sa e paqëndrueshme është kjo klasë pseudo-asetesh.
Sa i përket GENIUS Act, ky ligj krijoi terrenin për një eksperiment tjetër të rrezikshëm të “bankës së lirë”, si ai që përfundoi keq në shekullin XIX, dhe mund të quhet me ironi Reckless Idiot Act (Ligji i Idiotëve të Papërgjegjshëm). Sipas këtij ligji, stablecoin-et nuk rregullohen si banka të ngushta (që merren vetëm me depozita dhe pagesa), që do të thotë se depozitat dhe pagesat nuk ndahen nga kreditimi dhe investimet më të rrezikshme, dhe as nuk kanë qasje në lender-of-last-resort ose sigurimin e depozitave që ofrojnë bankat qendrore.
Në praktikë, gjithçka që do të duhej për të shkaktuar një panik financiar dhe një bank run është që disa individë të papërgjegjshëm në shtete pseudo-libertariane të SHBA-ve të keqinvestojnë fondet e tyre ose t’i vendosin depozitat në institucione të dobëta, si Silicon Valley Bank. Ashtu si në shekullin XIX, qasja aktuale e SHBA-ve, për shkak të lakmisë dhe paaftësisë së Trump, dhe ndikimit të industrisë kripto të korruptuar, është receta për paqëndrueshmëri financiare dhe ekonomike.
Lufta e fundit midis bankave reale dhe industrisë kripto mbi CLARITY Act është një shembull tjetër që tregon se Trump nuk kupton bazat e financës dhe të parasë. Çështja nuk është se bankat duan të ruajnë pothuajse monopolin e tyre mbi transaksionet. Në një sistem bankar me rezervë fraksionale, bankat bëjnë dy gjëra: menaxhojnë pagesa dhe krijojnë kredi, duke kthyer depozitat afatshkurtra në kredi afatgjata. Kjo do të thotë se ato ofrojnë një shërbim semi-publik shumë të vlefshëm.
Depozitat afatshkurtra nuk paguajnë interes, sepse janë pothuajse ekuivalente me para të gatshme. Megjithatë, industria kripto po kërkon që stablecoin-et të paguajnë interes – drejtpërdrejt ose indirekt përmes bursave – gjë që do të minonte themelet e sistemit bankar që ne marrim të mirëqenë.
Kështu, kemi dy mundësi: ose ndryshojmë rrënjësisht sistemin financiar, duke ndarë pagesat nga krijimi i kredive (përmes bankave të ngushta për pagesat dhe institucioneve financiare për kreditë), ose ndalojmë stablecoin-et të paguajnë interes dhe të ndërhyjnë tek bankat.
Kjo është një çështje politike dhe e stabilitetit financiar, dhe pak njerëz e marrin seriozisht. Jamie Dimon, kryetar dhe CEO i JPMorgan Chase, po ngre alarmin për këto ndryshime që kërkon industria kripto, ndërsa Brian Armstrong i Coinbase është krejtësisht i gabuar kur i minimizon këto shqetësime. Nëse Trump ka këshilltarë që nuk janë të korruptuar nga paratë e kriptos, shpresohet që ata t’i shpjegojnë se si funksionon sistemi bankar para se interesat personale të shkatërrojnë themelet e tij. Sekretar i Thesarit, Scott Bessent, po dëgjon?/Project Syndicate
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



