Nga Gazeta ‘Si‘-Sot Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka në rend dite aplikimin e Kosovës në KiE. Mbledhja do të mbahet nga ora 14:30 deri në 17:30.
“Pasi të miratohet nga Komisioni, draft opinioni duhet të diskutohet dhe miratohet nga Asambleja”, bën të ditur Këshilli i Evropës.
Saktësisht në agjendën e Komisionit për Politikë dhe Demokraci thuhet se në rend dite është opinioni statutor mbi aplikimin për anëtarësim të përcaktuar në letrën e datës 12 maj 2022 drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, në përputhje me Rezolutën Statutore (51) 30.
Raportuese është Dora Bakoyannis.
Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, i ka bërë të ditura dy pika të opinionit të Dora Bakoyannis, raportuese në Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) për aplikimin e Kosovës për anëtarësim.
Knaus në një postim në X shkruan se opinioni i ish ministres së Punëve të Jashtme të Greqisë, thotë që Asambleja i rekomandon Komitetit të Ministrave që ta ftojnë Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
🇽🇰🇪🇺
— Gerald Knaus (@rumeliobserver) March 26, 2024
Tomorrow in Paris presentation of report by @Dora_Bakoyannis in committee: based on @coe criteria, it will recommend for Kosovo to join the Council of Europe now.
The vote in PACE plenary in Strasbourg will then take place in April.
Serbia committed in 2023 not to block… pic.twitter.com/evIf0spMrB
Ndërkaq, lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE ditë më parë ka folur edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili në një mbledhje të ekzekutivit bëri të ditur se Qeveria e Kosovës i ka dhënë dritën jeshile Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat e Manastirit të Deçanit.
Ai pati njoftuar se lidhur me këtë ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës.
“Qeverisë i është bërë e qartë nga Komiteti i Asamblesë Parlamentare që ne duhet të zgjedhim ndërmjet dy opsioneve…. të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje ose heqja e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit”, ishte shprehur Kurti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




