Financa Personale

Aplikimet për vend pune në shtet në 2020-n arritën nivelin më të lartë që nga viti 2001

Në vitin 2020, aty ku bashkë me karantinën kulmoi papunësia, kulmoi dhe kërkesa e shqiptarëve për të punuar në shtet.

Sipas të dhënave të Departamentit të Administratës Publike*(DAP), numri mesatar i aplikimeve për një vend pune në vitin 2020 arriti rekordin më të lartë që nga viti 2001, në nivelin 24 aplikime.

“Të dhënat për vitin 2020, tregojnë se ka patur mesatarisht rreth 24 aplikime për pozicion, bazuar në 29497 aplikime në total, për 1237 pozicione të shpallura, tregues ky që ka ardhur në rritje në krahasim me vitet e mëparshme” shkruhet në dokumentin vjetor të DAP.

Pas vitit 2001, viti i dytë me aplikimet mesatare më të larta ka qenë 2019, me 22 aplikime.

DAP ka argumentuar se treguesi ka nevojë për një analizë më thellë për të kuptuar se pse ka një rritje të mesatares së aplikimeve për punë në shtet.

“Një numër i lartë aplikantësh për pozicion tregon deri diku pëlqyeshmërinë e shërbimit civil dhe besimin e aplikantëve në procedura konkurrimi të drejta dhe të bazuara në meritë. Nga ana tjetër, mund të jetë edhe një tregues i kritereve minimale të pranimit apo kritereve shumë të përgjithshme për disa raste. Një tjetër arsye mund të jetë edhe aplikimi i kandidatëve, pa i kushtuar rëndësi kritereve, duke bërë disa aplikime njëkohësisht.

Ka disa arsye që mund të çojnë në një vlerë të konsiderueshme të këtij treguesi ndaj dhe analiza e të dhënave, kombinuar me tregues të tjerë, do të ishte me vlerë. Psh: kombinuar me përqindjen e aplikantëve të paraseleksionuar, pra ata që plotësojnë kriteret e shpallura, ky tregues mund të ndihmojë administratën të kuptojë sesi politika apo nisma të caktuara mund të ndikojnë tek vlerat e këtij indikatori” vlerëson DAP.

Institucioni sqaron se do të shtohet edhe një tjetër tregues që do të analizohet në vazhdim i cili ka të bëjë me kohën për të plotësuar një vend vakant që përfaqëson numrin e ditëve kalendarike deri sa pozicioni të plotësohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë