Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka ndryshuar masën e sigurimit për avokatin Besart Logu, i cili më parë ishte nën masën e arrestit në shtëpi, pasi dyshohet për vepra korruptive.
Në vendimin e shpallur sot nga trupi gjykues, Apeli ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të profesionit të avokatisë nga Besart Logu, sipas nenit 243 të Kodit të Procedurës Penale.
Në komunikimin për media theksohet se sekretaria gjyqësore duhet të njoftojë Dhomën Kombëtare të Avokatisë për këtë vendim.
Për këtë masë mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
Prokurorja e posaçme Doloreza Musabelliu kërkoi masë sigurie ‘arrest në shtëpi’ e cila u ekzekutua gjatë orëve të mëngjesit të 8 shtatorit në zyrat e Logut me akuzën për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Logu i kishte marrë një klienti të tij italian shumën prej 8 mijë eurosh si premtim se do ta përdorte për të ndikuar tek prokurorët e gjyqtarët e Tiranës në favor të tij. Por këto para sipas SPAK, Logu i mbajti për veten.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



