Drejtësia

Apeli i kthen vilën nënës, por jo Monika Kryemadhit, deputetja: Hakmarrje ndaj meje, duhet durim

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit ka hequr sekuestron për banesën e nënës së deputetes Monika Kryemadhi.

Ndërsa ka lënë në fuqi vendimin për sekuestrimin e apartamentit të saj te "Kodra e Diellit" në kuadër të hetimeve të nisura nga SPAK për "korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie".

Megjithatë, në një prononcim për mediat para SPAK, Kryemadhi tha se do bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, duke e konsideruar vendimin e Apelit si një "hakmarrje" ndaj saj.

Këtë proces gjyqësor ndaj saj, ajo e konsideron një “hakmarrje sa i përket Inceneratorit të Tiranës”. “Është hakmarrje, por patjetër nga ana ime duhet durim e konsistencë. Ka edhe një avantazh, unë futem çik edhe pa radhë se mamaja ime në Gjykatën e Strasburgut”.

Duke qenë se dje e tha me humor se pas sekuestrimit “do jetojë në çadër ose kontejnier”, gazetarët e pyetën a ka shanse që tanimë të zhvendoset tek nëna e saj, Fatimja.

“Unë kam jetuar gjithmonë me mamanë time. Ndoshta se shqiptarët edhe nuk e mbajnë mend, kur kam ngelur shtatzënë me vajzën time të parë, ne s’kemi qenë as të fejuar e as të martuar me Ilir Metën. Ne ishim të dy si dy të rinj që ç’a fluturon, hahet. Më hapi derën e shtëpisë, më dha dy dhoma që ne të jetonim me Ilir Metën. Më pas mua m’u sëmur babai dhe ajo kishte nevojë për mua. Ne kemi jetuar bashkë që nga ’98”, tha Kryemadhi.

GJKKO ka caktuar ndaj Monika Kryemadhit masës e sigurisë 'detyrim paraqitje', ndërsa po hetohet nga SPAK për tre akuza pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.

Po për këtë dosje po hetohet dhe bashkëshorti i saj, Ilir Meta, me të cilin është në proces divorci. Aktualisht Ilir Meta ndodhet në qeli, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë