Gazeta Si – Gjykata e Apelit në Shkodër ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për punonjësit e policisë, të cilët u lanë me masën e sigurisë “arrest shtëpie” pasi dyshohen për shpërdorim detyre për favorizime në tendera.
Gjykata në Shkodër vendosi të lirojë shtatë shtetasit që kanë ankimuar në Apel nga 13 që ishin në total.
Kështu kryekomisar Saimir Rrustemi është lënë me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” bashkë me gjashtë punonjës të tjerë të policisë si dhe shtetasin Paulin Prendi.
Vendimi nga Apeli u dha ditën e sotme. Gjatë masës së sigurisë në Gjykatën e Shkallës se Parë, një grup qytetarësh shkodranë protestuan kundër arrestimit të kryekomisar Saimir Rrustemi, i cili fillimisht u la me masën “arrest shtëpie” nga shkalla e parë dhe ditën e sotme, Apeli e rrëzoi këtë vendim, duke e liruar përfundimisht me masën “detyrim paraqitje”.
Efektivët e policisë së qarkut të Shkodrës dhe punonjës të administratës civile, u arrestuan muajin e kaluar nën akuzën për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”.
Sipas prokurorisë ata kanë kryer veprime favorizuese dhe fiktive, me qëllim favorizimin e një subjekti për përfitimin e një tenderi të vogël për rikonstruksionin e fasadës së komisariatit të Malësisë së Madhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




